Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

31 gusht 2011

Imam Muhamed Sytari

Tashmë, Ramazani me mirësitë e tij të panumërta u largua, duke marrë me vete gjurmët e secilit prej nesh, në adhurimin e tij, në bamirësinë e tij, në dëshminë e Njësisë dhe forcimin e saj në zemër, në pendimin e sinqertë dhe shenjat e faljes në sjelljen e tij, në ndjesinë e dashurisë dhe frikës ndaj Vetë All-llahut.
           
Tashmë Ramazani i këtij viti (që qëlloi të niste ditën e parë të muajit gusht), plot vapë dhe thatësirë, u largua. Nuk vdiq njeri, nuk u shtrua njeri në spital, nuk lëngoi kush nga agjërimi i ditëve plot vapë!
I la krenari dhe forcë besimi krejt atyre që agjëruan, duke mos e vënë në dyshim për asnjë moment përgjigjen ndaj thirrjes hyjnore, ndryshe nga disa, që e shitën atë për një gotë ujë të freskët a një kafe të zezë në një ditë me temperaturë të lartë... Humbën më shumë sesa fituan!
           
Tashmë, kur edhe vizitat e Fitër Bajramit kanë nisur të sosen, në këtë orë të vonë të ditës së dytë të tij, disa shënime dhe kujtime që më lidhin me Natën e Kadrit dhe shpirtin e saj, më nxitën të ulem para letrës...
           
Atë natë, me 26 gusht 2011, pas përfundimit të faljes së namazit të jacisë në xhaminë e Parrucës, shumë besimtarë (burra dhe gra) ishin bërë gati për të marrë pjesë në faljen e namazit tesbih me xhematë. Isha i lumtur të shpjegoja mënyrën sesi i dërguari nxiste axhën e tij për ta falur këtë namaz, për të cilin falen gjynahet sido që të jenë...

Namazi i 300 tesbiheve, përfundoi me selamin e krahut të djathtë, por shpirti i asaj nate nisi të pasqyrohej me tërë madhështinë e tij në momentet e duasë. Një duá që nisi si një shi i lehtë, por...

Amin-at e qindra besimtarëve të tubuar në atë natë adhurimi, morën t’i ngjasonin zhurmës së dallgëve të forta, që teksa përplasen me sipërfaqen e ujit, krijojnë një vorbull cilindrike që shërben si një centrifugë pastrimi... Edhe ato amin-a të përziera me zërin e lotëve të nxehtë që djegin hije gjynahesh, jepnin përshtypjen e një centrifuge pastrimi, që po largonte njollat e një viti nga zemra të mbushura e të ngarkuara me pikla gjynahesh, të akumuluara nga 11 muajt e fundit...
           
Atë natë, krejt thërrisnim: “Ja All-llah, Ja All-llah”! Krejt ishim zhytur në ëmbëlsinë e kësaj thirrje, teksa valët zanore që përkthejnë këtë EMËR të madhnueshëm, përhapeshin kudo përreth nesh duke pasqyruar dritë besimi dhe dashuri të sinqertë gjynahqarësh në kërkim të teubes...
           
Ndërkohë, dita e parë e Fitër Bajramit, aty bri xhamisë “Ebu Bekër”, në momente të caktuara mori dritë si drita e Natës së Kadrit, për t’u bërë një me të...
           
Nga minberi i vendosur në sheshin e tejmbushur, si asnjëherë tjetër në jetën e tij, kërkova nga ata mijëra besimtarë të pranishëm të përsërisnin pas meje thirrjen e teuhidit. All-llah, All-llah... Dukej sikur vetë Shkodra ishte përfshirë në këtë deklamim të fuqishëm, që buçiste nga çdo pëllëmbë e sheshit. “La ilahe il-lall-llah, La ilahe il-lall-llah”... dhe një qytet i tërë thërriste në një zë të vetëm NJËSINË e Atij që posedon gjithësinë...

Thirrja e teuhidit në ditën e Fitër Bajramit, u bashkua me amin-at e Natës së Kadrit dhe sëbashku u bënë dëshmitarë të besimit... U bënë dëshmitarë të jetës së tij... U bënë dëshmitarë të besës së pathyer të muslimanëve në Shkodër... U bënë dëshmitarë...           

Tashmë Ramazani me mirësitë e tij të panumërta u largua. Mori me vete çdo gjë; Natën e Kadrit dhe amin-at e saj, namazin e tesbihëve dhe dhikret e tij. Me të u bashkua edhe Dita e Fitër Bajramit dhe thirrja e teuhidit në hapësirat e saj... U larguan të dy sëbashku dhe lanë kujtime dhe nostalgji, që i dëshmojnë vetëm ata që thanë: “Amin!” dhe thirrën me zemër: “La ilahe il-lall-llah!”... E, dëshmitarët fituan!

 

Nata e Kadrit dhe dita e Fitrit, ose: “Dëshmitarët fituan”!