Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Shkodër, më 29 gusht 2011

 Të dashur vëllezër dhe motra

 

Mbrëmë, teksa po faleshim sëbashku në rekatet e fundit të namazit të teravisë, shpirtërisht ndjeva një emocion të madh, që më mbuloi, duke më sjellë parasysh atmosferën e bagatë të një muaji plot adhurime, bamirësi, vepra të dobishme në shërbim të komunitetit, sofra të harmonisë dhe tubime që forcojnë vëllazërinë e besimit në mes nesh.
           
Me perëndimin e diellit të kësaj dite, të gjithë i japim lamtumirën këtij muaji që na mblodhi si një familje e vetme, duke dëshmuar dashuri dhe respekt ndaj Zotit, vetes dhe njëri-tjetrit.
           
Tashmë, era e Festës së Fitër Bajramit ka nisur të ndjehet kudo përreth nesh.
           
Lutem me zemër që All-llahu Mëshirëbërës, t’ju pranojë adhurimet dhe çdo vepër të mirë që keni bërë gjatë muajit të mëshirës, faljes dhe bujarisë hyjnore!
           
Lutem me zemër që Fitër Bajrami i këtij viti të shërbejë për të dëshmuar sëbashku rritjen e ndjeshmërisë ndaj besimit, fesë dhe lirisë së përzgjedhjes për të qenë secili një individ më i mirë, më besimtar, më human dhe më i dobishëm në shoqëri.
           
Fitër Bajrami nuk është thjeshtë dita e zbukurimit me veshje të reja, por ditë në të cilën angazhohemi për të mbajtur besën dhe amanetin e Ramazanit!
           
Fitër Bajrami është një ditë e begatë dhe një Festë e lumtur, që na thërret të pajtohemi, të duhemi dhe të shtojmë angazhimin për një jetë më të mirë në harmoni me njëri-tjetrin.
           
Uroj që kjo Festë e shënuar për mbarë botën islame, të na  gjejë më të lidhur si vëllezër të një besimi dhe më të lartësuar në gradët e përkushtimit ndaj Zotit të Vetëm të gjithësisë.
           
Shpresoj dhe lutem, që nesër në sheshin bri xhamisë “Ebu Bekër”, teksa do të marrim pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit, të dëshmojë toka, qielli, melekët dhe Vetë All-llahu për përkushtimin tonë ndaj besimit dhe dëshirën tonë për më të mirën e vendit tonë të dashur!
           
Ju uroj dhe ju përshëndes:
           
All-llahu i Madhëruar ju mbuloftë me mëshirën, bujarinë dhe mirësitë e Tij pafund!
           
All-lahu e begatoftë vendin tonë dhe na dhashtë udhëzimin hyjnor për të ecur përpara, me identitetin tonë besimor, me besën e dashurisë ndaj Tij dhe vullnetin për të jetuar në harmoni dhe paqe me krejt individët dhe komunitetet në shoqërinë tonë!           

Mubarek!

 

Mesazhi i Myftiut Imam Muhamed Sytari, me rastin e Fitër Bajramit 1432/2011

Mesazhi i Myftiut Imam Muhamed Sytari, me rastin e Fitër Bajramit 1432/2011