Paraditën e së dielës, më 28
gusht 2011, Myftinia Shkodër ka organizuar një
aktivitet përkujtimor në një vjetorin e ndarjes nga
jeta të H. Faik Zaganjorit, njërit prej kuadrove më
të spikatur të ringjalljes së aktivitetit të
Thirrjes Islame në Shkodër, pas viteve ’90.
Aktiviteti ka nisur me këndimin e një pjese
kur’anore. Më pas, ka referuar Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, me temë: “Kujtime dhe nostalgji
për kohën e mësuesve...”.
Në fjalën e tij, Myftiu ka përmendur disa momente të
spikatura nga kujtimet e tij për H. Faik Zaganjorin,
si një ndër mësuesit e parë të rinisë muslimane
shkodrane, në vitet e para të ringjalljes fetare.
Njëkohësisht, ai është lutur që All-llahu ta
mëshirojë dhe ta përfshijë me begatitë e Tij të
pafundme.
Ndërsa teologu Arben Halluni, në referatin e tij:
“Kush ishte H. Faik Zaganjori?”, ka hedhur dritë mbi
jetën dhe aktivitetin fetar të H. Faik Zaganjorit,
duke përmendur se ai ishte një njeri me reputacion
të mirë në shoqëri dhe shumë i dashur nga të gjithë.
Me shumë emocion është ndjekur fjala e z. Sami Muçej,
titulluar: “Kujtime për një koleg të paharruar...”.
Referuesi ka rrëfyer disa nga momentet më të bukura
të miqësisë së tij me “kënduesin e afirmuar të
ilahive, bilbilin e lutjes së mevludit”, H. Faik
Zaganjori.
Në emër të familjes, ka përshëndetur z. Ali
Zaganjori, i biri i të ndjerit. Ai ka falënderuar
Myftininë Shkodër për këtë aktivitet që vlerëson
personalitetin e njeriut të dashur të familjes
Zaganjori dhe gjurmët e lëna prej tij në aktivitetet
e ndryshme fetare në të gjitha xhamitë e Shkodrës
dhe përtej saj.
Në fund të aktivitetit, të ftuarit kanë ndjekur një
material në videoprojektor, ku janë shfaqur disa
kujtime të bukura nga aktiviteti 20 vjeçar i H. Faik
Zaganjorit, si prijës fetar dhe një ndër zërat më të
dashur në këndimin e ilahive dhe pjesëve të mevludit.
Myftinia Shkodër shpreh mirënjohjen e saj për
personalitetin e H. Faik Zaganjorit dhe lutet që
All-llahu i Madhëruar ta mëshirojë e ta falë me
Mëshirën dhe Faljen e Tij të pëkufijshme.
V.Mehmeti
|
|
|
|