Nga dita e hënë, më 22 gusht
2011, në xhaminë e Parrucës po kryhet falja e
namazit tesbih, nën drejtimin e Myftiut Imam Muhamed
Sytari. Pas istigfarit dhe lutjes së tradicionale të
ditëve të fundit të Ramazanit, kryhet namazi tesbih,
rreth 45 minuta. Ndërkohë, në përfundim të tij,
bëhet një lutje e gjatë, që shoqërohet me amin-at e
të pranishëmve.
Kënaqësia e pjesëmarrjes në këtë adhurim, që nis nga
ora 03.00 e pasmesnatës, vazhdon me dersin e sabahut,
që zhvillohet në mes të synetit dhe farzit të
sabahut. Për rreth 40 minuta, besimtarët kanë
mundësi të dëgjojnë shpjegime të ndryshme rreth
çështjeve që lidhen kryesisht me adhurimin, namazin
e natës, vlerën e dijes dhe thellimin në të, shtimin
e dhikrit etj.
Ditën e sotme, më 25 gusht 2011, Myftiu është ndalur
te vlera dhe rëndësia e namazit të natës (kijamul-lejl).
Nëpërmjet shembujve të shumtë që karakterizojnë
dersin e sabahut, ai ka prezantuar modelin e
profetit Muhammed (a.s) në dëshirën për të falur
namazin e natës dhe nxitjen për kryerjen e tij, atë
të Hz. Osmanit (r.a), Ibni Omerit (r.a), si dhe
është ndalur në mënyrë më të detajuar në disa
shembuj nga adhurimi i natës që kryente Imami Ebu
Hanife, njëri ndër tabiinët e ditur dhe dijetarët e
spikatur të ymetit.
Gjatë dersit të sabahut bëhen edhe pyetje, ndërhyrje
të ndryshme, sikurse zhvillohet edhe bashkëbisedim
rreth temës dhe shembujve që sillen rreth saj.
All-llahu e begatoftë kohën tonë dhe na dhashtë
mundësi të përfitojmë sa më tepër nga ditët dhe
netët e mbetura të muajit Ramazan.
M.Hoxha
|
|
|
|