Ditën e enjte, më 18 gusht 2011,
Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, ka
shtruar një iftar me rastin e muajit të begatë të
Ramazanit. Në këtë sofër të bujarisë ishte i
pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari,
përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal e
vendor në Shkodër, përfaqësues të besimeve të tjera,
tarikateve, imamë, teologë, intelektualë e besimtarë
të shumtë, të cilët kanë ndarë sëbashku kënaqësinë e
këtij iftari.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Bashkisë
Shkodër, ka theksuar se kjo mbrëmje është një dëshmi
e vlerësimit ndaj besimit në Zotin, bashkëpunimit
ndërmjet besimtarëve dhe një mirënjohje për të
gjithë ata që punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e
harmonisë fetare në vend.
Iftarin e ka përshëndetur edhe Famullitari i
Shkodrës dom Gjovalin Sukaj, që ka shprehur
kënaqësinë e tij për këtë pjesëmarrje në iftarin që
shtron Bashkia Shkodër.
Ndërsa Imam Muhamed Sytari, pasi ka shprehur
mirënjohjen e tij për këtë iftar të shtruar nga
kryebashkiaku i Shkodrës, ka theksuar se falë Zotit,
në Shkodër dhe Shqipëri njerëzit jetojnë me besim
dhe respekt ndaj fesë dhe mësimeve të saj. Sikurse
është lutur që Zoti t’i begatojë të gjithë ata që
punojnë për të mirën e komunitetit dhe ruajtjen e
harmonisë dhe bashkëpunimit të sinqertë në të.
I pranishëm në këtë iftar ka qenë edhe një ekip i
televizionit France 2, të cilët kanë filmuar
momentet më interesante të kësaj mbrëmje të këndshme
Ramazani, që i bashkoi njerëzit në dashurinë për
Zotin dhe respektin ndaj muajit të madhnueshëm të
Ramazanit.
|
|
|
|