Me rastin e muajit të begatë të
Ramazanit, ditën e martë më 16 gusht 2011, Kryetari
i Komunës Bërdicë, z. Besnik Xhemali, ka shtruar një
iftar në nder të besimtarëve muslimanë të fshatrave
Bërdicë dhe Trush.
I pranishëm në këtë iftar ka qenë edhe Myftiu i
Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari. Në fjalën e tij
përshëndetëse, Myftiu ka vlerësuar këtë iniciativë
pozitive të Kryetarit të Komunës Bërdicë, duke e
falënderuar dhe shprehur mirënjohjen e tij për këtë
vepër të mirë.
Myftiu ka theksuar se këto sofra bujare shërbejnë
për ta forcuar edhe më shumë ndjenjën e besimit në
Zotin Një dhe harmoninë e besimtarëve në mes vete.
Këtë gjë e ka vërtetuar edhe prania e besimtarëve të
besimeve të tjera tradicionale në vendin tonë, të
ftuar në këtë iftar.
Myftiu është lutur që Zoti t’i begatojë besimtarët e
kësaj zone dhe ta bëjë tokën e tyre pjellore dhe të
mbrojtur nga çdo e keqe. Njëkohësisht, ai është
lutur që iniciativa të tilla të përhapen sa më shumë
në Zonën e Shkodrës, sepse ato sjellin vetëm të mira
në komunitet.
Të pranishëm në këtë iftar kanë qenë edhe
përfaqësues të prefekturës, imamët e zonës, teologë,
intelektualë, biznesmenë dhe besimtarë të shumtë.
Në përfundim të këtij iftari, Myftiu ka falur
namazin e akshamit me xhematin e fshatit Trush në
xhaminë e këtij fshati. Me këtë rast, ai ka mbajtur
një bisedë këshilluese për besimtarët e shumtë të
pranishëm në xhami, sikurse i ka nxitur ata të
përfitojnë sa më shumë nga ditët e mbetura të këtij
muaji të shtrenjtë.