Imam Muhamed Sytari
11 gusht 2011
Viti i gjashtë. Në sheshin
e Parrucës, aty bri xhamisë së lagjes së vjetër
muslimane të Shkodrës, “Karvani i bereqetit” ishte
instaluar, i gatshëm për të pritur ata mijëra
agjërues, që do të kalonin një mbrëmje festive, me
iftarin para duarve, të gëzuar me këtë mirësi dhe
shfaqje të vëllazërisë dhe harmonisë islame.
Realisht, teksa afrohesha me vendin, ku ishin
vendosur sofrat e iftarit, njerëzit, që tashmë
kishin filluar të mbushnin sheshin, me fytyra të
qeshura, përshëndeteshin me njëri-tjetrin. Një sofër
e pazakontë, me sofrat e përditshme të një viti të
tërë, ishte shtruar për nder të tyre. Sikur i
thërriste të shkonin drejt saj, me agjërim dhe
përulje para Zotit të gjithësisë. Gjithandej
dëgjohej përshëndetja e banorëve të xhennetit,
ndërkohë nga minaret e xhamisë, ajetet e sures “El-Kehf”
mbushnin atmosferën me dritën e Fjalës hyjnore...
Iftari në sheshin e Shkodrës, tashmë është kthyer në
një traditë, të cilën duhet ta ruajmë dhe ta
perfeksionojmë, në shërbim të mesazheve të harmonisë
dhe qetësisë sociale që përcjell ajo në realitetet
ku jetojmë.
Po mendoja, teksa shihja ata mijëra besimtarë të
shpërndarë në çdo cep të sheshit, sesa e rëndësishme
dhe e domosdoshme është të shfrytëzohen mundësi dhe
mënyra të ndryshme për ta bërë praktikimin e
adhurimeve, një traditë qytetare, me të cilën
dallohet shoqëria e jonë. Iftari i kësaj nate më
kujtoi namazin e Kurban Bajramit të vitit të kaluar,
aty, në sheshin bri xhamisë “Ebu Bekër”. M’u kujtua
sesi, për herë të parë në Shkodër, një masë e madhe
besimtarësh muslimanë, dilnin që në orët e para të
mëngjesit për të falur sëbashku namazin e “Idul-Ad’hasë”,
në sytë e melekëve të mëshirës, kamerave të shumta
të instaluara përreth, syve të një qyteti të tërë...
Ishte një dëshmi e fortë e një besimi që nuk mund të
shuhet dhe as tjetërsohet, ndonëse thirrjet joshëse
janë të shumta, nga çdo kahje...
Po mendoja, sesa e rëndësishme është të shfrytëzohen
sheshet dhe vendtubimet e njerëzve, për të
përcjellur nëpërmjet tyre botën e pasur të besimit,
të përkthyer me atë që u pëlqen njerëzve dhe i bën
të ndjehen më të lumtur e më rehat në jetën e tyre,
me dashurinë e besimit dhe madhështinë e tij.
Ç’të keqe ka që në çdo ditë të këtij muaji, të
lajmërohet nëpërmjet kanaleve televizive lokale,
nisja e iftarit, direkt nga sheshi kryesor i qytetit,
i shoqëruar me një urim të përditshëm dhe
shpërndarjen e disa dhuratave simbolike për fëmijët
dhe pjesëmarrësit në këtë urim?
Ç’të keqe ka që në çdo ditë prej ditëve të Ramazanit,
në oborret e xhamive të organizohen konkurse fetare
për edukimin dhe nxitjen e të rinjve në thellimin e
dijeve dhe kulturës elementare islame në jetën e
përditshme?
Ç’të keqe ka... Janë shumë. Ndoshta, këto reflektime
që m’u sollën në orbitën e vështrimit në
prag-iftarin e kësaj nate, ishin një thirrje
dritësuese për të realizuar dhe bërë më shumë nga
ç’bëjmë për ta mbajtur gjallë e të fortë frymën e
shenjtë të këtij besimi e kësaj feje, që është kredo
e kombit tonë dhe historisë së tij të gjatë.
Po mendoja, sesa mundësi të jep ky muaj për ta
përhapur kudo frymën e tij, si një balsam për
realitetet afetare shqiptare, që shpesh përpiqemi
t’i fshehim, por që realisht janë aty, si të
gdhendura nga vitet më të errëta të historisë sonë
kombëtare, në përditshmërinë e njerëzve të këtij
qyteti e këtij vendi...
Po afrohesha me vendin ku ishin vendosur sofrat e
iftarit, teksa Kryetari i Bashkisë, Prefekti,
vëllezërit turq, drejtuesit më të lartë lokalë dhe
vendorë, përfaqësuesit e komuniteteve të tjera
fetare, ishin tubuar sëbashku, në respekt të këtij
iftari...
Po afrohesha me vendin ku ishin vendosur sofrat e
harmonisë dhe u luta me zemër që All-llahu i
Madhëruar ta ruajë këtë fé të pastër dhe ta forcojë
besimin në Njësinë e Tij në zemrat e shqiptarëve, që
më shumë se kurrë duken si gafilë në rrugëtimet
hutaqe drejt historisë së tyre të panjohur dhe të
papriturave të saj...
Tashmë, iftari në shesh ishte afruar dhe koha kishte
nisur të numërohej së prapthi. Edhe pak, ezani i
akshamit do të lajmëronte fillimin e festës së
njeriut me Zotin e Tij, nën qiellin e mëshirës,
faljes dhe udhëzimit të Tij hyjnor...
Iftar të mirë dhe agjërim të pranuar krejt ju
vëllezër dhe motra!
Vazhdon me mbarësinë e All-llahut...