Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari

Lodërtarin e Ramazanit, kujtoj ta kem dëgjuar për herë të parë, aty nga viti 1991. Zhurma e lodrës së tij, sa vinte e afrohej me dritaret e shtëpisë së vjetër të gjyshit tim, teksa unë, fare i ri, përgatitesha për t’u zgjuar e më pas për t’u ulur në sofrën e syfyrit, bashkë me gjyshin tim, rahmet pastë...
           
Ndonëse vitet kanë kaluar, kujtimet e Ramazaneve, me zhurmën e lodrës së lodërtarit, në sofrën e gjyshit, me dëshirën e madhe për të ninu Ramazanin, si një musliman i ri e me vetëdije të plotë, vazhdojnë të lëbardhin cepat e kujtimeve të shkuara, saherë dëgjohet një lodër, në syfyr a në iftar...
           
M’u kujtua lodra dhe lodërtari, si një simbolikë e Ramazanit në Shkodër (që për disa është bërë një bezdi, aq më tepër kur keqpërdoret qëllimi i saj), teksa po bisedoja me një mik të dashur e të shtrenjtë, me të cilin u takova thuajse rastësisht natën e nëntë të këtij muaji. Kishin kaluar shumë vite nga hera e fundit që ishim parë. Ndonëse jeta, me të papriturat e saj, na ka ndarë në cepa të ndryshëm të këtij globi, ajo nuk ka arritur të fshijë kujtimet e fëmijërisë sonë, si dy vëllezër të mirë. Ngrohtësisht u takuam. Në bisedën tonë, si pa e menduar, hyri edhe lodërtari i Ramazanit me lodrën e tij mirëbërëse...

        - Më kishte marrë malli me e dëgju zanin e lodrës, në këtë muaj- tha shoku im i fëmijërisë. Për një moment, teksa fliste, u ndal dhe sërish mori të lidhte cepat e bisedës së papërfunduar:

        - Nuk e di, por atje ku unë jetoj, të merr malli të dëgjosh a të shohësh         atmosferë Ramazani, si kjo që ndodh në vendin tonë. Atje, nuk ka ezan, se mungojnë minaret! Nuk ka lodër Ramazani, se është i panjohur! Atje nuk të thotë kush: “Iftarin e mirë”, a: “Të baft mirë syfyri”... Teksa po të prisja, rastësisht një lodërtar më kaloi pranë dhe, se ç’më kujtoi... (Mendova, me siguri, edhe ai do të jetë zgjuar para shumë vitesh me zhurmën e lodrës, në sofrën e një gjyshi besimtar... dhe, padyshim, pas shumë vitesh larg vendlindjes, një lodër me zhurmën e saj, s’ka sesi të mos zgjojë kujtime e nostalgji vitesh që nuk përsëriten më...).

        - Nuk e di,- vazhdoi bashkëbiseduesi im- por m’u bë se u mbusha me emocione të mëdha dhe seç ndjeva... Ishte e papërshkrueshme ndjesia që pata!

...

Lodra dhe lodërtari... I dëgjojmë shpesh, bile edhe shqetësohemi nganjëherë nga zhumra e tepruar e tyre, por gjithësesi, ajo dhe ai, mbeten dy kujtues të devotshëm të kohërave me gjyshër dhe sofra syfyri plot përkushtim besimi...
Sesi na mori për dore drejt kujtimeve të fshehura në cepat e kujtesës, me sofra syfyri e iftari, në prani të gjyshërve tanë të dashur dhe besimit të tyre, takimi i rastësishëm i mikut tim të fëmijërisë me lodërtarin e muajit Ramazan... Lodra dhe lodërtari...

Teksa ai fliste, me zemër doja ta falënderoja lodërtarin e Ramazanit, që me botën e tij plot zhurmë lodre, na bëri të kujtojmë me nostalgji ditët e një jete të shkuar nën vëzhgimet bekuese të gjyshërve besimtarë... Pastaj mendova: Sa mirësi e madhe, që atmosfera e këtij Ramazani vazhdon të jetë një vazhdim i natyrshëm i përshpirtësisë së Ramazanit që përhapet kudo... edhe nëpërmjet lodrës së lodërtarit të tij besnik... Elhamdu lil-lah!

Vazhdon me mbarësinë e All-llahut...


 


Lodërtari i Ramazanit...