Paraditen e së dielës, më 7 gusht
2011, Myftinia Shkodër ka organizuar një tribunë
fetare për motrat muslimane, me rastin e fillimit të
muajit Ramazan. Në këtë aktivitet është folur mbi
rëndësinë që ka angazhimi i gruas muslimane me
Kur’anin, si Fjala dhe Libri i Zotit të gjithësisë.
Aktiviteti ka nisur me këndimin e një pjese
kur’anore dhe ka vijuar me leximin e përshëndetjes
së Myftiut të Shkodrës Imam Muhamed Sytari, në të
cilën ka kërkuar që gruaja muslimane mos ta lërë pas
dore leximin dhe kuptimin e Kur’anit, sidomos në
këto ditë të begata të muajit Ramazan.
Më pas ka referuar teologia Ferzet Ndoja, e cila ka
folur mbi temën: “Modeli i gruas muslimane në
Kur’anin Famëlartë”. Në fjalën e saj, ajo ka
spikatur dhjetë cilësi të gruas muslimane të
përmendura në Kur’an dhe ka kërkuar që këto cilësi
të jenë një model suksesi edhe për muslimanen
shqiptare në jetën e saj.
Aktiviteti ka vijuar me referatin e mësueses së
Kur’anit, Emine Alushi, me temë: “Rëndësia e
angazhimit me Kur’an gjatë Ramazanit”. Në referatin
e saj është vënë theksi te rëndësia që ka leximi i
Kur’anit dhe shpërblimi që jepet për të.
Njëkohësisht, ajo ka bërë thirrje që muslimanët të
angazhohen më shumë me Librin e fesë së tyre, si
udhërrëfyes i pagabueshëm dhe i sigurt.
Ndërsa teologia Jetmira Plaku, ka shpjeguar tefsirin
e ajetit kur’anor: “Muaji i Ramazanit, në të cilin (filloi
të) shpallet Kur'ani...”, ku ka hedhur dritë mbi
rëndësinë e Kur’anit dhe lidhjen e tij me muajin e
Ramazanit. Në fjalën e saj ka spikatur komentimi i
pasur me argumente dhe thënie që vërtetojnë
madhështinë e Kur’anit dhe domosdoshmërinë e pasimit
të tij, si një udhëzim i qartë dhe plot dituri.
Në fund të aktivitetit, është shpërndarë broshura: “Muaji
i fitimit të njeriut”, botim i Myftinisë Shkodër, me
rastin e Ramazanit të këtij viti.