Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari

HYRJE

31 gusht 2011. Nata e parë e muajit të begatë të Ramazanit në Shkodër erdhi në mes të këndimeve të ajeteve të Kur’anit, që përhapeshin kudo në horizont nga minaret e xhamive të qytetit... Si të thuash, i gjithë qyteti ishte përgatitur për ta pritur hilalin e ri të muajit të njeriut, në të cilin gjen veten dhe dashurinë e Krijuesit të tij... Si të thuash, edhe Shkodra po e dëshmonte veten në pritje të Ramazanit, si simotrat e saj në mbarë globin...

Nga minaret e xhamive, zëri i Kur’anit lartësohej deri në qiell, që ishte zbukuruar si kurrë më parë me një harmoni ngjyrash, që i jepnin dritë dhe madhështi, si madhështia e lajmit të hyrjes së hënës së re të Ramazanit... Ndërsa ato, ngjyrat, në përzierjen e tyre se ç’dëshmonin... Ishte si të thuash, një miksim perfekt i mallit, dashurisë, nostalgjisë, pritjes me padurim, dëshirës së papërshkrueshme për t’u takuar... se ç’dëshmonte ai miksim i mrekullueshëm i atij prag-perëndimi mbi Tarabosh, që ia tregonte fytyrën e vet edhe pasqyrës së liqenit të heshtur...

Dhe momentet e pritjes së padurueshme u shpërblyen me një lajm, të cilin e dëgjuan të gjithë në Shkodër... Ishte ezani i akshamit, nga minaret e xhamive... dhe muaji i shumëpritur, u rikthye me madhështinë dhe hijeshinë e tij...
 

TERAVIA E PARË...

Në xhaminë e Parrucës, njerëzit që vinin për të falur jacinë, vështronin njëri-tjetrin, si ata që janë thirrur për një lajm të mirë e të shumëpritur... Si ata, që presin një sinjal a një shenjë për t’u afruar...

Përpara namazit të jacisë, nga mihrabi urova të pranishmit me rastin e hyrjes së hënës së Ramazanit, me një emocion që përsëritet vetëm një herë në vit... Emocionet e Ramazanit... Doja që ezani i jacisë të këndohej sa më parë, që të përjetohej kudo shpirti i nijetit të teravisë...

Është një moment shumë tërheqës, kur i drejtuar nga kibla, ashtu i përqendruar dhe me zemër të mbushur plot dritë namazi, në zemër të shkëlqen një dritë që të fton të shkrihesh tërësisht në nijetin e një namazi të dashur që e falim vetëm në këtë muaj... (Në ato momente, vetëm për pak çaste më kujtoheshin disa nga netët e fundit të teravive të kaluara, të mbushura me emocione dhe nostalgji...).

Gjatë faljes së teravisë, në dritësinë e përshpirtësisë së saj, të duket vetja si të jesh pas Resulull-llahit (a.s), pikërisht atë natë, kur për herë të pari dilte për ta falur namazin shumërekatësh të Ramazanit... namazin e natës së Ramazanit... dhe, të vjen një dëshirë e çmendur të thërrasësh me të madhe: “Es-selamu alejke ja Resulall-llah!”... por, nuk e bën dot, se të tjerët bri teje po falen të drejtuar pas imamit...
 

HATMEJA SHERIFE...


Iqindia e ditës së parë të Ramazanit, më 1 gusht 2011, ishte edhe fillimi i traditës së vjetër të leximit të plotë të Kur’anit, për gjatë gjithë ditëve të muajit Ramazan. Është një formë adhurimi shumë e veçantë, e mbushur me një dëshirë të zjarrtë për të hyrë në botën e leximit të Fjalës së Zotit të botërave. Një ndjesi e veçantë e thyerjes së gjunjve, me Librin e All-llahut para duarve, duke rrugëtuar në hapësirat e hadithit profetik: “Ai që do të flasë me All-llahun, le ta lexojë Kur’anin”...

Ajo që më gëzon pa masë, teksa kujtoj fytyrat e të pranishëmve në këtë mexhlis të begatë, është fakti se burrat e thinjur dhe pleqtë e përkushtuar ndaj kësaj tradite dhe ftese profetike, tashmë nuk janë vetëm... bri tyre mund të dallosh plot djem të rinj, që lexojnë rrjedhshëm dhe duan të thellohen përherë e më tepër në dashurinë për Fjalën e Tij... dhe ky fakt është një rreze shprese, që vështirë se venitet...
 

ËSHTË RAMAZAN...
           
Është Ramazan. Muaji i përkushtimit dhe rregullimit të cilësisë së adhurimeve, tashmë ka zbritur, si një frymë e begatë, në mesin e muslimanëve. Është Ramazan dhe... të gjithë jemi të lumtur! Duket se, gjithësia agjëron me ne, fal teravinë, lexon Kur’an... Është Ramazan, të gjithë duan të marrin nga një hise prej mirësive të tij të panumërta! Elhamdulil-lah!

Vazhdon me mbarësinë e All-llahut...