Duke nisur nga mbrëmja e së
dielës, më 31 korrik 2011, besimtarët muslimanë të
Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë kanë pritur hyrjen e
hënës së re të muajit Ramazan, për të nisur sëbashku
adhurimet dhe aktivitetet me rastin e këtij muaji të
madhërueshëm.
Namazi i teravisë së parë është falur në të gjitha
xhamitë e Shkodrës, që kanë dëshmuar mbushjen e tyre
me besimtarë të shumtë, të gjitha moshave.
Ndërkohë, ditën e hënë, më 1 gusht 2011, nëpërmjet
valëve të Tv1 Channel, besimtarët kanë pasur mundësi
të ndjekin fillimin e ciklit të emisionit fetar të
titulluar: “Ramazani midis nesh”, organizuar nga
Myftinia Shkodër dhe drejtuar nga teologu Arben
Halluni. Në bisedën e parë në studio, i ftuar ka
qenë Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
Gjatë këtij emisioni, Myftiu ka uruar të gjithë
muslimanët me rastin e hyrjes së hënës së re të
Ramazanit dhe ka dhënë disa këshilla në lidhje me
shfrytëzimin e këtij muaji për t’u afruar më tepër
me All-llahun dhe për të forcuar më shumë
vëllazërinë dhe harmoninë në mes të besimtarëve
muslimanë. Ai i ka bërë thirrje tregtarëve që të
ulin çmimet dhe të ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe
të mos kenë frikë varfërinë dhe skamjen.
Ndërkohë një mesazh rreth harmonisë së Ramazanit dhe
vlerave të tij, Myftiu e ka dhënë edhe për kanalin
Abc News, në një lidhje direkte më studion e saj në
Shkodër.
Pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Parrucës ka
nisur këndimi i plotë i Kur’anit Famëlartë, Hatmeja
Sherife, nën drejtimin e Myftiut dhe hafizëve të
ardhur nga Turqia.
Atmosfera e këtij muaji të begatë, ka nisur të
ndjehet në Shkodër edhe nëpërmjet afisheve të
shpërndara në hyrje të qytetit dhe në disa prej
fshatrave kryesorë të tij, nëpërmjet të cilave,
Myftinia Shkodër uron besimtarët dhe u kujton atyre
agjërimin e këtij muaji të madhnueshëm.
|
|
|
|