Shkodër, më 31 korrik 2011
Të dashur vëllezër dhe
motra muslimanë,
Nata e begatë në të cilën do të ruajmë sëbashku
ardhjen e hënës së re të muajit Ramazan erdhi. Edhe
pak orë dhe mbarë bota islame hyn në atmosferën e
një muaji, në të cilin dhuntitë hyjnore dhe
mundësitë e afrimit me All-llahun, Zotin e
gjithësisë, janë pa fund!
Me këtë rast, më lejoni t’ju kujtoj porosinë e
Resulull-llahit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na
udhëzon duke thënë:
"Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë! Ju
mëshiron All-llahu në të, duke iu fshirë me mëshirën
e Tij gabimet dhe duke iu përgjigjur lutjeve tuaja.
All-llahu shikon në adhurimin tuaj dhe mburret me ju
para melekëve. Tregoni pra All-llahut nga vetja juaj,
vetëm të mira.
I shkretë është vetëm ai, që s'e meriton mëshirën e
All- llahut në këtë muaj".
Prandaj, le të përpiqemi sëbashku, t’i
tregojmë Zotit të botërave më të mirën nga vetja e
jonë; me vepra të mira, me pendim të sinqertë, me
forcimin e vëllazërisë së shenjtë islame dhe
interesimin për nevojat dhe hallet e njëri-tjetrit!
Le të sillemi me zemër nga All-llahu, që është
Furnizues Bujar dhe mos të kemi frikë nga varfëria
dhe skamja!
Të ndihmojmë ata që kanë nevojë dhe të dëshmojmë se
jemi një shoqëri islame solide, e lidhur dhe e
përulur para Thirrjes Hyjnore: “All-llahu
urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve,
ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna”!
Ftoj tregtarët muslimanë, të dëshmojnë shpirtin e
Ramazanit në dyqanet dhe punishtat e tyre. Le të
vendosin afishe, nëpërmjet të cilave lajmërojnë
uljen e çmimeve me rastin e Ramazanit. Mos të kenë
ndrojtje për ta bërë një gjë të tillë, sepse begatia
hyjnore do t’i mbulojë dhe pëlqimi i All-llahut do
të zbresë mbi ta!
Ftoj biznesmenët muslimanë, të mblidhen dhe të
bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në këtë muaj të
begatë, për të ndihmuar nevojtarët, për të ushqyer
të uriturit, për të përkrahur njerëzit e shumtë me
halle në këtë shoqëri!
Ftoj rininë muslimane, të distancohet gjatë këtij
muaji nga mbrëmjet plot harame dhe ndalesa hyjnore,
nga festat e përziera dhe pa moral. Le të luten e të
pendohen nga gabimet dhe gjynahet e ditëve të
shkuara, sepse: “Më i dashuri njeriu tek
All-llahu, është i riu i penduar”!
Ju ftoj krejtve ju, vëllezër e motra, bij e bija, ta
dëshmoni shpirtin e Ramazanit në shtëpitë tuaja, në
shoqëri, kudo që të jeni!
Ramazan Mubarek për Shkodrën, Shqipërinë,
për mbarë ymetin islam!
|