Pasditën e së martës, më 26
korrik 2011, është organizuar për herë të parë në
Shkodër aktiviteti ndërkombëtar i njohur si: “Sofra
e Kur’anit”. Hafizë të Kur’anit nga Turqia,
Gjermania dhe Maqedonia, kanë paraqitur para të
pranishëmve të mbledhur në oborrin pranë xhamisë së
Parrucës, një program të pasur me këndime kur’anore,
ilahi dhe pjesë artistike të luajtuara me nej.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës ka
theksuar se kjo është hera e parë që Myftinia
Shkodër organizon një aktivitet të tillë në prag të
Ramazanit. Ai ka falënderuar hafizët e nderuar, të
cilët janë të njohur në mbarë botën për këndimet e
tyre profesionale dhe zërin e ëmbël. Myftiu është
lutur që kjo mbrëmje fetare, në shoqëri të shpirtit
të Kur’anit, të bëhet një sihariq mbarësie dhe
begatie për mbarë Shkodrën dhe qytetarët e saj.
Në këtë program kanë kënduar dhe interpretuar: Davut
Kaya (përfaqësues i Dijanetit turk), Hafiz Osman
Shahin (imam i xhamisë Fatih në Stamboll), 11
vjeçari Yunus Demirci (kënduesi më i mirë i Kur’anit
në Evropë, 2010), Jusuf Yildiz (Gjermani), Abdullah
Shaqiri (Kumanovë) dhe Osman Çelik (mjeshtër i nejit).
Gjatë kësaj mbrëmje fetare të këndshme, të
pranishmit e ftuar, por edhe kalimtarët e shumtë që
ndaleshin të tërhequr nga zërat e bukur, kanë pasur
mundësinë të shijojnë këndimin e pjesëve kur’anore,
ilahive të bukura në gjuhën shqipe dhe pjesët e
luajtura në nej.
Në përfundim të këtij aktiviteti, të pranishmit kanë
falur sëbashku edhe namazin e akshamit, që është
drejtuar nga imami i xhamisë Fatih të Stambollit, i
cili ka fituar zemrat e besimtarëve shkodranë me
zërin e ëmbël dhe melodioz.
|
|
|
|