Ditën e xhuma, më 15 korrik 2011,
nga minberi i xhamisë së Perashit, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka vazhduar të flasë mbi vlerën
dhe madhështinë e dijes dhe kërkimit të saj në
shërbim të interesave të njeriut dhe lartësimit të
tij në të dy botët.
Në hyrje të fjalës së tij, Myftiu i ka kujtuar
besimtarëve të pranishëm mirësinë e madhe të vizitës
në Shkodër të dijetarit të shquar islam Shejkh
Shuajb Arnauti. Ai e ka konsideruar këtë vizitë, si
një përkujtim hyjnor për çdo musliman shqiptar,
drejt thellimit në kërkimin e dijes, për të arritur
aty ku duhet të jemi në këtë realitet ku jetojmë!
“Ku janë intelektualët muslimanë të përkushtuar në
këtë shoqëri? Përse nuk i shohim në vende drejtuese
të këtij vendi? Ku janë të rinjtë muslimanë me
moralin e fesë islame? Thirrjet e Islamit për kërkim
të diturisë, janë thirrje për të ndriçuar jetën e
njeriut me dritën e Kur’anit dhe mësimeve të fesë
Islame! Prandaj, më shumë se kurrë sot, kemi nevojë
t’i jepemi me shpirt dijes dhe zënies së saj, për të
qenë aty ku realisht nuk jemi e, ku duhet të jemi;
në majat e kësaj shoqërie shqiptare! Ata që punojnë
ditë-natë për zhveshjen e shqiptarëve nga morali i
fesë Islame, djathtas e majtas, në të vërtetë janë
një familje e vetme! Vetëm nëpërmjet rrugëve të
dijes dhe shenjtërimit të Vëllazërisë Islame në
mesin tonë, ne mund të arrijmë aty ku duhet të jemi,
në vendin ku jetojmë e punojmë!”- ka thënë ndër të
tjera Myftiu.
Gjatë kësaj hytbeje, ai ka vënë në vëmendje të
besimtarëve copëza realitetesh shqiptare, të asaj që
e ka quajtur “kryqëzatë moderne”, që zhvillohet
dita-ditës në Shqipëri. Ai ka përmendur se këto
përpjekje të gjithanëshme bëhen në përpjekjet për ta
zhveshur rininë shqiptare nga vlerat islame dhe për
t’i veshur asaj një rrobë që kurrë nuk ka qenë e
përshtashme për të dhe ardhmërinë e saj!
M. Myftija