Në kuadër të vizitës që po
zhvillon këto ditë në Shkodër Hirësia e Tij Shejkh
Shuajb Arnauti, Myftinia Shkodër e ka ftuar të mbajë
një ders para namazit të xhuma, më 8 korrik 2011, në
xhaminë e Parrucës.
Që në orën 12.00, Hirësia e Tij ka nisur bisedën dhe
këshillën fetare, duke komentuar ajetin kur’anor nr.
30 të sures Fussilet, në të cilin thuhet: “E, s'ka
dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”,
dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në
prag të vdekjes dhe u thonë): Të mos frikësoheni, të
mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u
premtohej”.
Gjatë fjalës së tij, dijetari i shquar ka tërhequr
vëmendjen drejt rëndësisë që ka mësimi i rregullave
të besimit për secilin musliman. Ai ka nxitur
Myftininë që të botojë një libër në akide, që çdo
musliman të dijë se kush është Zoti i tij, cilësitë
e Tij etj.
Në vasin e mbajtur para besimtarëve në xhaminë e
Parrucës, Shejkh Shuajb Arnauti ka bërë thirrje që
mos të harrohet historia e lavdishme e shqiptarëve,
që me Islamin e tyre ishin një popull fisnik, i
drejtë, inteligjent dhe i shquar kudo në botë. Dhe
ka vazhduar duke thënë: “Pavarësisht kohëve të
errëta që kaloi vendi, duhet që sot të zgjoheni dhe
të ruani amanetin e të parëve tuaj”. Me gjuhën e tij
shqipe, i është drejtuar të pranishëmve: “Qëndroni,
mos e leni kte fe! Rune besen e t’parve tuj!”
Njëkohësisht ai ka kërkuar nga besimtarët e
pranishëm dhe të tjerët pos tyre, respekt dhe
nderim për hoxhallarët, si mësues të fesë dhe
udhëzues drejt mirësive të besimit.
Për të dëgjuar dersin e Shejkh Shuajb Arnautit në
xhaminë e Parrucës, kishin ardhur edhe besimtarë të
shumta nga trevat shqiptare nga Mali i Zi, nga
Kosova dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.Më pas
Shejkh Shuajb Arnauti ka marrë pjesë edhe në faljen
e namazit të xhuma dhe ka dëgjuar hytben e mbajtur
nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, mbi
vlerën e dijes dhe dijetarëve në fenë islame.
|
|
|
|