Pasditen e së enjtes, më 7 korrik
2011, në sallën e kinema “Millenium”, Myftinia
Shkodër ka organizuar një ceremoni me rastin e
vizitës në Shkodër të dijetarit të shquar islam
Shejkh Shuajb Arnauti. Me këtë rast është bërë edhe
dorëzimi i titullit “Qytetar Nderi” nga Këshilli i
Bashkisë Shkodër.
Aktiviteti që ka nisur me leximin e një pjese
kur’anore, është pasuar me fjalën e rastit nga
Myftiu Imam Muhamed Sytari. Gjatë saj, ai ka vënë
pah mirësinë e madhe të prezencës së Shejkh Shuajb
Arnautit në mesin e besimtarëve dhe qytetarëve të
Shkodrës.
Më pas ka theksuar se: “Në historinë e popullit
shqiptar ka patur, ka dhe do të ketë përherë simbole
të dijes, përkushtimit, bamirësisë dhe altruizmit,
me të cilat çdo shqiptar është ndjerë, ndjehet dhe
do të ndjehet krenar para mbarë botës. S’ka dyshim,
se një nga këto simbole të larta dhe figura të
shquara kombëtare është edhe djali i Shkodrës,
eruditi dhe studiuesi i pashoq, Shejkh Shuajb
Arnauti, me të cilin të gjithë ne duhet të ndjehemi
krenarë dhe të nderuar kudo që të jemi!
260 vëllime në lëmitë e shumta të shkencave burimore
islame, të cilat kanë kaluar në duart e Zotërisë së
Tij, duke marrë prej dijes dhe mprehtësisë së tij
shkencore, me të cilat e ka dalluar Zoti i
gjithësisë, janë padyshim një mal me argumente për
ta konsideruar Hoxhën tonë të nderuar një simbol të
përkujdesjes hyjnore ndaj njerit dhe fesë së tij në
këtë kohë, në çdo kohë!
Prezenca e Hirësisë së Tij në mesin tonë është bekim
nga All-llahu, që nuk e humbi këtë popull, këtë komb.
Prej tij, përzgjodhi dijetarë të përkushtuar, për ta
ruajtur fenë Islame dhe për ta madhëruar misionin e
zënies së diturive, që nga dita kur për herë të parë
i reveloi profetit të fundit të njerëzisë, mesazhin
e shenjtë: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi çdo
gjë”!”
Më pas ka përshëndetur edhe nën/kryetari i
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu.
Edhe në emër të Kryetarit H. Selim Muça, ai ka
përcjellur emocionin dhe kënaqësinë e kësaj vizite
të Hoxhës dhe dijetarit të shquar islam me banim në
Jordani, Shejkh Shuajb Arnauti. Njëkohësisht ai i ka
uruar Hirësisë së Tij jetë të gjatë, shëndet dhe
begati të përhershme në jetë.
Me shumë emocion është përcjellur edhe momenti kur
Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, z. Bardhyl
Lohja, ka lexuar motivin e titullit “Qytetar Nderi”
për Shuajb ef. Arnautin, të cilin: “të gjithë
anëtarët e kanë miratuar në mënyrë unanime”!
Ndërkohë, të pranishmit që e kishin tejmbushur
sallën e kinemasë, kanë dëgjuar me vëmendje fjalën e
urtë të Shejkh Shuajb Arnautit, në të cilën dallohej
qartë malli i tij për vendin e të parëve dhe dëshira
për ta folur shqipen.
Gjatë fjalës, ai ka dhënë këshilla të vlefshme dhe
porosi për të mos lënë pas dore fenë islame, për të
ruajtur traditat burrërore me të cilat shqiptarët
janë shquar përherë.
Në fund të fjalës së tij, Hirësia e Tij ka pohuar
fuqishëm: “Me gjak jam shqiptar, por feja jeme asht
Islami! Ju du krejt!”.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të lartë
të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtues të
partive politike në Shkodër, anëtarë të Këshillit të
Bashkisë, imamë dhe teologë, shkrimtarë,
intelektualë, studiues, besimtarë etj.
Al. Hoxha
|
|
|
|