Paraditën e së enjtes, më 7
korrik 2011, ka mbërritur për një vizitë në
Myftininë Shkodër dijetari dhe studiuesi i shquar i
fesë islame me banim në Aman të Jordanisë, Shejkh
Shuajb Arnauti.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari i ka uruar mirëseardhjen, duke e
konsideruar këtë vizitë si një begati dhe mirësi për
Myftininë dhe mbarë Shkodrën.
Gjatë takimit Hirësia e Tij ka pyetur për gjendjen e
muslimanëve dhe ecurinë e Thirrjes Islame në Shkodër
dhe Shqipëri. Ai ka kërkuar që muslimanët të kthehen
nga historia e tyre e lavdishme dhe mos të harrojnë
fenë dhe kulturën e saj. Hoxha i nderuar ka nxitur
angazhim sa më të madh për të kapërcyer pasojat e
sistemit ateist, që e zhveshi individin shqiptar nga
besimi dhe feja islame.
Në këtë takim të përzemërt, Myftiu ka bërë një
përshkrim të aktiviteteve dhe përhapjes së Thirrjes
Islame në Shkodër. Njëkohësisht ai e ka falënderuar
Shejkh Shuajb Arnautin për interesimin e tij të
vazhdueshëm për Shkodërn dhe interesat e saj.
Më pas, në shoqërinë e Myftiut, Shejkh Shuajb
Arnauti ka vizituar edhe xhaminë e Parrucës, ku ka
shprehur gëzimin e tij të madh për këtë vepër
madhështore dhe është lutur për ndërtuesin e saj.
Pas faljes së namazit të mesditës, Hirësia e Tij ka
zhvilluar një mexhlis me besimtarët e pranishëm, ku
ka dhënë disa këshilla të vlefshme për ruajtjen e
fesë dhe krenarinë e të qenurit muslimanë.
M. Hoxha
|
|
|
|