Ditën e martë, më 28 qershor
2011, Myftinia Shkodër ka zhvilluar një tribunë
fetare në përkujtim të mrekullisë së Israsë dhe të
Miraxhit. Aktiviteti në fjalë është zhvilluar në
xhaminë e Parrucës, menjëherë pas faljes me xhemat
të namazit të akshamit.
Pasi janë lexuar ajetet e para të sures “El-Isra”,
nga z. Ervin Metani, fjalën e ka marrë teologu Arben
Halluni që ka bërë një prezantim të shpejtë të
mrekullisë së natës së Israsë dhe të Miraxhit.
Ndërkohë, në fjalën e tij Myftiu Imam Muhamed Sytari
ka shpjeguar se përse është e rëndësishme që herë
pas here të organizohen tribuna të tilla, që mësojnë
besimtarët dhe u kujtojnë atyre datat dhe ngjarjet e
shënuara të fesë së tyre. Me këtë rast, ai ka vënë
në dukje se mrekullia e Israsë dhe e Miraxhit,
vazhdon të mbetet edhe sot një ftesë hyjnore për të
besuar në një Zot të vetëm dhe në dërgesën profetike
të Muhammedit (a.s).
Aktiviteti ka vijuar me temat e mbajtura nga
teologët Admir Temja dhe Naim Drijaj, që kanë hedhur
dritë mbi historinë e kësaj ngjarje dhe rëndësinë e
namazit si një ndërvlerat kryesore të kësaj
mrekullie.
Në këtë mbrëmje fetare, në xhaminë e Parrucës kanë
prezantuar imamë, teologë, intelektualë e besimtarë
të ndryshëm, të cilët kanë ndjekur me vëmendje
argumentet e trajtuara në këtë aktivitet.
Më herët, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e
fshatit Bërdicë e Sipërme, Myftiu Imam Muhamed
Sytari ka zhvilluar një bisedë fetare për motrat
muslimane të këtij fshati, në lidhje me mrekullinë e
Israsë dhe të Miraxhit.
Me këtë rast ai ka përgëzuar edhe imami n e kësaj
xhamie, Bujar Ymeri për organizimin e xhematit dhe
për grupin e fëmijëve të xhamisë, që kanë prezantuar
edhe një program të këndshëm me ilahi dhe recitime
fetare.Njëkohësisht, Myftiu ka drejtuar edhe namazin
e parë në xhaminë e re të fshatit Bërdicë e Sipërme,
që pritet të përfundojë brenda këtij viti.
|
|
|
|