Ditën e shtunë, më 18 qershor
2011, ka mbërritur në Shkodër për një vizitë dy
ditore Myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, me
bashkëpunëtorë. Me rastin e kësaj vizite, ai ka
zhvilluar takime me Myftiun e Shkodrës Imam Muhamed
Sytari dhe drejtorin e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”,
Kujtim Dervishi.
Gjatë vizitës së zhvilluar në Medresenë “Haxhi Sheh
Shamia”, dega djem, Myftiu i Gostivarit ka parë prej
afër ambientet e Medresesë dhe është njohur me një
përshkrim të hollësishëm të arritjeve të
deritanishme të saj. Këtu, ai ka shprehur kënaqësinë
e tij për realitetin e kësaj medreseje dhe
rezultatet e saj të larta.
Më pas vizita ka vijuar në Myftininë e Shkodrës, ku
është zhvilluar një bisedë konstruktive mbi rolin e
institucioneve islame në trojet shqiptare në
ruajtjen e besimit dhe kultivimin e tij në shoqëri.
Në këtë takim është folur edhe për rrugët e forcimit
të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme të
aktivitetit fetar, shkencor e kulturor, në mes të dy
institucioneve.
Myftinia e Gostivarit i është përgjigjur thirrjes së
Myftinisë Shkodër me rastin e djegies së xhamisë
fshatit Mes-Myeslim, ku në këtë vizitë është
dorëzuar një ndihmë e konsiderueshme materiale për
ndërtimin e xhamisë së re të këtij fshati.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i Gostivarit i ka
dorëzuar Myftiut të Shkodrës dhe drejtorit të
Medresesë nga një “Mirënjohje”, për mikpritjen e
nxënësve të Medresesë së Gostivarit, që vizituan
Shkodrën para disa javësh. Njëkohësisht ai e ka
ftuar Myftiun e Shkodrës për një vizitë zyrtare në
Gostivar.
Mysafirët, të shoqëruar nga Myftiu, kanë falur
namazin e akshamit në xhaminë e Parrucës, ku Shaqir
ef. Fetahu ka mbajtur një ligjëratë të dobishme mbi
vlerën e ruajtjes së besimit dhe përfitimit nga dija
për përhapjen e tij. Njëkohësisht ai ka uruar
besimtarët e pranishëm për xhaminë e re të Parrucës,
në të cilën është falur për herë të parë.
Më pas mysafirët kanë bërë një vizitë në qytet, ku
kanë parë nga afër pikat kryesore të Shkodrës, që e
kanë vlerësuar për zhvillimin e shpejtë dhe ecurinë
në 20 vitet e fundit.
Myftiu i Gostivarit ka dhënë edhe një intervistë për
Tv1 Channel, ku pasi ka falënderuar mikpritjen, ka
vlerësuar zhvillimin e dukshëm të qytetit të
Shkodrës. Ai ka përmendur se nga hera e fundit që e
ka vizituar qytetin tonë, para 18 viteve, ai ka
pësuar ndryshime të dukshme, që e kanë bërë më të
lulëzuar e më tërheqës. Ai ka dhënë një mesazh edhe
për qytetarët e Shkodrës, që mos ta lënë besimin pas
dore, të respektohen e të jetojnë në harmoni me
njëri-tjetrin, megjithë dallimet e ndryshme që mund
të ekzistojnë.
Al. Hoxha
|
|
|
|
|
|