Ditën e xhuma, më 17 qershor
2011, besimtarët muslimanë të Shkodrës kanë pasur
një arsye më shumë për të uruar njëri-tjetrin për
mirësinë e madhe të dhuntisë së besimit, pasqyruar
në rindërtimin e xhamisë së Parrucës në të njëjtin
vend ku 40 vite më parë u shkatërrua nga sistemi
ateist i shtetit.
Në hytben e mbajtur me këtë rast, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka vlerësuar se prej mirësive të
Zotit që njeriu duhet t’i deklarojë me të madhe,
është edhe ajo e besimit. Në rastin konkret ai është
ndalur te xhamia e Parrucës, ku ka shprehur
mirënjohjen e tij për sponsorizuesin e këtij objekti
madhështor, z. Sait Jakup Fishta.
Në hytben e tij, Myftiu është ndalur në disa pika që
kanë të bëjnë me harmoninë e muslimanëve me
njëri-tjetrin dhe prezantimin e tyre në shoqëri.
Myftiu ka kërkuar që të eliminohet zilia, xhelozia,
fryma e përçarjes dhe dashakeqësisë së muslimanit
për muslimanin. Ai ka bërë thirrje që të fuqizohet
ndjenja e Vëllazërisë së Shenjtë Islame në mesin e
besimtarëve.
Në këtë hytbe, Myftiu ka bërë thirrje që kjo fe dhe
ky besim të dëshmohet pa frikë edhe në mjediset
jashtë xhamisë. Ai ka kërkuar që muslimanët në
Shkodër të jetojnë me krenari dhe të punojnë me
krenari, pa pasur frikë paragjykimin e tundimet
tjetërsuese që shpesh shfaqen aty-këtu. Ai ka
sjellur në vëmendjen e të pranishëmve të shumtë edhe
investimet që bëhen në Shkodër, ku ka shprehur
gëzimin e tij për çdo lulëzim të qytetit. Por, ai ka
kritikuar diferencimin në investime të zonave të
ndryshme të Shkodrës, mbi disa të tjera, që është
një fakt evident në vitet e fundit në Shkodër!
Në hytben e dytë, Myftiu ka shprehur një falënderim
edhe për imamin e parë të xhamisë së Parrucës,
teologun Alban Kali, Myftiun e parë që mbajti hytben
e parë në këtë xhami të re, Imam Ndriçim Sulejmani,
imamin aktual të xhamisë, muezinin e saj, si dhe për
krejt teologët që kanë shërbyer në mënyra të
ndryshme në këtë xhami të re.
Namazi i xhumasë së 200- të në xhaminë e Parrucës u
drejtua nga Hafiz Ethem Haliti, nga Gostivari.
V. Mehmeti
|
|
|
|