Pasditën e së hënës, më 6 qershor
2011, pas namazit të iqindisë, Myftinia Shkodër ka
organizuar një ceremoni fetare me rastin e Tre
Muajve të Mirë, Rexheb, Shaban dhe Ramazan, në
xhaminë “Ebu Bekër”.
Pas këndimit të një pjese kur’anore nga Hafiz Shukri
Kapllan, në fjalën hyrëse, teologu Arben Halluni ka
shpjeguar qëllimin e këtij aktiviteti fetar. Ai ka
uruar të pranishmit me rastin e hyrjes së Tre Muajve
të Mirë, sikurse ka nxitur që të shtohen adhurimet,
agjërimi e dhikret, si specifikë e këtyre muajve të
begatë.
Më pas ka referuar teologu Idmir Plaku, imam i
xhamisë “Ebu Bekër”, që ka nxjerrë në pah
madhështinë e muajve Rexheb, Shaban dhe Ramazan. Në
fjalën e tij, imami ka theksuar se besimtarët duhet
t’i shfrytëzojnë këto momente dhuratash hyjnore,
duke u afruar me Zotin nëpërmjet rrugëve të shumta
të legjitimuara në Kur’an dhe Traditën Profetike.
Njëkohësisht, ai ka komentuar hadithet dhe ajetet që
bëjnë fjalë për madhështinë e këtyre ditëve dhe
vlerën e adhurimit në to.
Medresisti Orhan Dani ka kënduar një ilahi, me të
cilën ka përshëndetur aktivitetin në emër të
medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.
Ndërsa H. Bashkim Bajraktari, imam i xhamisë së
Tepes, në referatin e tij, është ndalur te
domosdoshmëria e angazhimit për të shtuar adhurimin
dhe pendesën para duarve të All-llahut, sidomos në
këtë periudhë të tre muajve të begatë. Ai i është
referuar hz. Junusit (a.s), që edhe në errësirat e
barkut të balenës u kujtua të kërkonte falje dhe ta
përmendte Zotin.
Aktiviteti është përshëndetur edhe nga Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari. Në fjalën e tij ai ka
sjellur shembullin e adhurimit ditor të dijetarit të
shquar Vehbi S. Gavoçi, duke e konsideruar atë si
një shembull dije, përkushtimi dhe dashurie karshi
Zotit.
Më pas, janë kënduar ilahi, pjesë mevludi dhe lutje
të ndryshme.