Ditën e xhuma, më 3 qershor 2011,
nga minberi i xhamisë së fshatit Milan (Rrasek),
Myftiu Imam Muhamed Sytari ka folur mbi rëndësinë që
kanë tre Muajt e Mirë, si një mundësi hyjnore për
t’u afruar më shumë me All-llahun dhe mësimet e fesë
së Tij.
Gjatë hytbes, Myftiu ka përmendur disa argumente që
nxisin shtimin e dhikrit, kërkimin e mëshirës dhe
përmirësimin e gjendjes së brendshme shpirtërore të
besimtarit në jetë. Ndër të tjera ai ka thënë: “Këto
tre muaj, janë një mundësi e përvitshme që na fton
të përmirësojmë veten, të gjejmë rrugën drejt
mëshirës së Zotit tonë dhe të punojmë për pëlqimin e
Tij! Muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan, janë një
ftesë e re për të rregulluar atë që nuk mundëm ta
bëjmë gjatë vitit të kaluar. Prandaj, ta shtojmë
dhikrin, istigfarin, lutjen dhe kërkimin e mëshirës
së All-llahut, ditë pas dite, orë pas ore, sepse kjo
jetë është e shkurtër dhe nuk dihet se kur do të
largohemi prej saj!”
Një bashkëbisedim të ngrohtë me besimtarët e kësaj
xhamie, Myftiu ka zhvilluar edhe para namazit të
xhumasë, ku ka shprehur mirënjohjen e tij edhe për
imamin e xhamisë, Fitim Karmaj, që ka punuar me
përkushtim e sakrificë për të mirën e xhamisë,
frekuentuesve të saj dhe kursit të përhershëm ku
mësojnë me dhjetëra nxënës të kësaj zone.
Në fund të hytbes së xhumasë, Myftiu ka bërë edhe
duanë e tij tradicionale, në të cilën është lutur
për begatinë e zonës, mirëqenien e besimtarëve të
saj dhe lulëzimin e fesë islame brez pas brezi në
këtë vend.