Pasditen e së enjtes, më 2
qershor 2011, Imam Muhamed Sytari ka takuar imamët e
qytetit, në fillim të tre muajve të mirë, Rexheb,
Shaban, Ramazan.
Fillimisht, Myftiu ka lexuar mesazhin e Kryetarit të
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça
dërguar Myftinive të Shqipërisë, me rastin e tre
muajve të mirë, ku kërkohet angazhimi maksimal për
shfrytëzimin e këtyre muajve për zhvillimin e
aktiviteteve të ndryshme, gjallërimin e xhamisë dhe
nxitjen e humanizmit dhe bamirësisë në shoqëri.
Më pas, Myftiu ka diskutuar me imamët për disa
çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm
të xhamisë, disiplinimin e fushatave bamirëse,
shtimin e aktiviteteve në to, zhvillimin e hallkave
të dhikrit, leximit të Kur’anit, salavatit, vaseve,
respektimin orareve të kalendarit të faljeve etj.
Në këtë takim është folur edhe për nevojën e
përgatitjes serioze për pritjen e muajit Ramazan. Me
këtë rast Myftiu ka paraqitur përpara imamëve disa
nga projektet që pritet të zhvillohen me rastin e
hyrjes së hënës së re të muajit të Kur’anit.
Më pas, imamët kanë dhënë mendimet e tyre të
dobishme në lidhje me shfrytëzimin sa më efikas të
kohës në shërbim të këtyre projekteve dhe
aktiviteteve të Myftinisë gjatë kësaj kohe. Ata kanë
diskutuar edhe në lidhje me disa detaje që
karakterizojnë jetën fetare dhe aktivitetet në
Ramazan, namazin e teravisë dhe domosdoshmërinë e
theksimit të faktit se teravia ka 20 rekatë, synet i
fortë etj.
Njëkohësisht, është udhëzuar që hytbeja e ditës së
xhuma, më 3 qershor 2011, të përqendrohet te
madhështia e këtyre tre muajve të mire, dobia e tyre
dhe nxitja për shtimin e adhurimit dhe lutjes.