Ditën e enjte, më 2 qershor 2011,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka zhvilluar
një takim informues para drejtuesve më të lartë të
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në lidhje me
çështjen e vakëfeve.
Në mbledhjen e organizuar, në prezencë të Kryetarit
të KMSh, H. Selim Muça, nënkryetarit Gazmend Aga,
kancelarit Ali Zaimi, drejtorit të Kulturës dhe
Dialogut Ndërfetar Genti Kruja etj, Myftiu ka
informuar për ecurinë e deritanishme në lidhje me
vakëfin në Zogaj, në Zdralej, Dudas etj. Ai ka
shpjeguar me hollësi për hapat e ndjekur deri tani
në lidhje me këtë temë. Myftiu ka informuar se
përtej përpjekjeve të deritanishme, në respektim të
ligjeve të Republikës së Shqipërisë, ndërtimi
ilegjitim në vakëfin e lagjes Zogaj vazhdon në
mënyrë të habitshme, me ndërhyrje të njerëzve të
ditur me pushtet në Shkodër. Ai ka kërkuar
ndërhyrjen e Kryesisë së KMSh për këtë çështje dhe
shumë të tjera që lidhen me vakëfin në Shkodër.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi
Selim Muça ka shprehur indinjatën e tij në lidhje me
uzurpimin e trojeve të shenjta vakëf në Shkodër dhe
ka shprehur mbështetjen e tij për Myftininë Shkodër
në përpjekjet për kthimin në identitet dhe
shfrytëzimin e këtyre trojeve në shërbim të
komunitetit besimtar.
Edhe nënkryetari i KMSh, Gazmend Aga, ka shprehur
gatishmërinë për të bërë atë që është më e mira në
rrugën e lirimit të vakëfeve dhe shfrytëzimit të
tyre nga Myftinia Shkodër. Ai ka zhvilluar edhe një
bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë Shkodër,
z. Lorenc Luka, ku ka kërkuar ndërhyrjen e tij në
lidhje me vakëfet e uzurpuara në Shkodër.
Në përfundim të takimit, është rënë dakord që të
zhvillohen edhe disa takime me zyrtarë të ndryshëm,
si dhe të ndiqen të gjitha rrugët legjitime për
mbrojtjen e vakëfeve dhe ruajtjen e qetësisë në
mesin e besimtarëve të indinjuar për këto uzurpime
të pronave të shenjta të muslimanëve në Shkodër.
Në këtë takim Myftiu shoqërohej nga administratori i
Myftinisë Shkodër, menaxheri i pronave dhe juristi i
saj.