Ditën e shtunë, më 28 maj 2011,
Këshilli i Myftinisë Shkodër, nën drejtimin e
Myftiut Imam Muhamed Sytari, ka zhvilluar një vizitë
në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.
Në pritje të delegacionit nga Shkodra ka qenë
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të
Prizrenit, Lutfi ef. Ballek me bashkëpunëtorë. Në
mikpritjen e organizuar me rastin e kësaj vizite, ai
i ka uruar mirëseardhjen në Prizren Myftiut të
Shkodrës dhe anëtarëve të Këshillit të Myftinisë së
tij. Kryetari i K.B.I të Prizrenit ka informuar
vizitorët për historikun e përhapjes së fesë islame
në këtë qytet, realitetin e Thirrjes Islame në këto
ditë dhe sfidat për të ardhmen. Ai e ka konsideruar
këtë vizitë si historike dhe shumë të domosdoshme,
aq më shumë në këto ditë që rrugët e komunikimit
kanë bërë që Shkodra dhe Prizreni të lidhen në pak
orë.
Nga ana e tij, Imam Muhamed Sytari pasi ka
falënderuar Myftiun e Prizrenit për mikpritjen, ka
theksuar se kjo vizitë është një hap i rëndësishëm
drejt forcimit të marrëdhënieve në mes të dy
institucioneve. Myftiu ka vënë theksin te nevoja për
shtimin e bashkëpunimit në mes të dy myftinive, në
cilësi dhe formë.
Me rastin e kësaj vizite, ai i ka dhuruar homologut
të tij një komplet me botimet kryesore që mbajnë
firmën e tij, si dhe një komplet dhuratë për
bibliotekën e Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Më pas vizita ka vazhduar në disa nga stacionet më
të rëndësishme fetare dhe kombëtare në qytetin e
Prizrenit, si: Xhamia e Mehmet Pashës, biblioteka me
dorëshkrimet e trashëgimisë islame, kompleksi i
Lidhjes së Prizrenit, medreseja “Alaudin” – dega
Prizren, disa nga xhamitë kryesore të qytetit,
teqeja halvetiane etj.
Edhe në drekën e shtruar nga Lutfi ef. Ballek për
nder të Myftiut të Shkodrës dhe Këshillit të
Myftinisë së tij, është folur për rritjen e
bashkëpunimit dhe harmonizimit të aktiviteteve të
ndërsjellëta në mesin e dy myftinive.
Kjo ishte vizita e parë në Prizren e Këshillit të
Myftinisë Shkodër.
Myftinia
|
|
|
|