Nga minberi i xhamisë së Kirasit,
ditën e xhuma, më 27 maj 2011, Myftiu Imam Muhamed
Sytari ka bërë thirrje që njerëzit të ruhen nga
egoizmi dhe mendjemadhështia, duke i konsideruar
këta vese, si shkatërruese të boshtit të fesë islame
dhe besimit të pastër në Një Zot.
Myftiu e ka nisur hytben e tij duke kthyer në
vëmendjen e besimtarëve momentin kur shejtani
meritoi mallkimin e All-llahut, me shprehjen e tij:
“Unë jam më i mirë se ai”. Në këtë kontekst, ka
thënë: “Të gjithë kemi nevojë sot të shohim brenda
vetes dhe të vendosemi për të zgjedhur njërën nga dy
rrugët; atë të përuljes para Zotit, ose atë të atij
që thoshte: “Unë jam më i mirë se ai”, duke
rrugëtuar drejt humnerave të egoizmit dhe
mendjemadhësisë! Në realitetet tona islame, ne kemi
nevojë sot të përvetësojmë thirrjet kur’anore dhe
ato të hadithit për modesti e harmoni, jo për
egoizëm e përçarje! Xhamia jonë ka nevojë të
pastrohet nga mentaliteti “unë jam më i mirë se ai”
dhe të gjallërojë me dritën e dijes e të
përkushtimit; nderimit të më të diturve dhe pasimit
të dritës së njohurive! Nuk duhet të harrojmë se
pejgamberi ynë (a.s) ka thënë: “Nuk do të hyjë në
xhennet askush që ka qoftë edhe një grimcë
mendjemadhështie në zemrën e tij”! Prandaj të jemi
të kujdesshëm e t’i kërkojmë falje Zotit!”.
Me anë të ajeteve kur’anore dhe haditheve të shumta,
Myftiu ka trajtuar një temë shumë delikate që ka të
bëjë me secilin prej nesh në jetën e tij dhe
marrëdhënien me tjetrin.
Pas namazit të xhumasë, Myftiu ka bashkëbiseduar me
një grup besimtarësh në lidhje me gjallërinë e kësaj
xhamie, shfrytëzimin sa më mirë të vakëfit të saj
etj.
Më pas, i shoqëruar nga administrator i Myftinisë,
Kleves Kraja dhe imami i saj, teologu Ylli Buraniqi,
ka inspektuar punimet për meremetimin e minares së
kësaj xhamie dhe disa prej ambienteve të saj përreth.
Al. Hoxha
|
|
|
|