Pasditen e së xhumasë, më 13 maj
2011, Myftinia Shkodër ka organizuar një takim me
imamët e Shkodrës, për nder të vizitës së Myftiut të
Iskenderunit Hamdi Kavillioğlu në qytetin tonë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Imam Muhamed
Sytari ka falënderuar Myftiun nga Turqia për këtë
vizitë, që siç ka theksuar, do t’i shërbejë rritjes
së bashkëpunimit dhe përkrahjes në mes të dy
institucioneve.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe atashehu për
çështjet fetare në Ambasadën Turke në Tiranë, z.
Shaban Ishlek. Ai ka falënderuar praninë e imamëve
dhe intelektualëve, duke theksuar se këto takime
shërbejnë për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të
këmbyer eksperiencat pozitive reciproke.
Më pas, ky takim ka vijuar me këndimin e disa
pjesëve kur’anore nga Hafiz Mustafa Çakar, pas të
cilit në foltore është ftuar Myftiu Hamdi
Kavillioğlu. Pasi ka falënderuar Myftiun e Shkodrës
për ftesën dhe imamët për praninë e tyre, ai ka vënë
në dukje se qënia prijës fetar na obligon me
përgjegjësi të mëdha karshi Zotit dhe besimtarëve.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur shembullin e të
dërguarit të All-llahut, Muhammedit (a.s), që ishte
shembulltyra më e pastër dhe më origjinale në botë.
Myftiu ka kërkuar nga imamët që të punojnë me
dashuri dhe respekt, për të ftuar njerëzit drejtë
dritës së fesë dhe besimit islam.
Një pikë kulmore e këtij takimi ka qenë këndimi i
disa ilahive nga hafizi turk, që është shoqëruar nga
të gjithë të pranishmit në sallë. Në një atmosferë
plot emocion e gjithë salla e konferencave në Grand
Hotel ka kënduar himnin e ardhjes së profetit
Muhammed (a.s) në Medine: “Taleal-bedru alejna” e të
tjera ilahi.
Në fund të aktivitetit të pranishmit janë takuar nga
afër me miqtë nga Iskenderuni dhe kanë këmbyer
urimet dhe përshëndetjet e rastit.