Ditën e xhuma, më 13 maj 2011,
besimtarët frekuentues të xhamisë së Parrucës, kanë
patur mundësi të marrin me vete emocione dhe mirësi
të shumta nga falja e namazit të xhuma.
Me rastin e vizitës së Myftiut të Iskenderunit,
Myftinia Shkodër ka organizuar një tryezë besimi,
lutje dhe këshille fetare për të pranishmit në
faljen e të xhumasë në xhaminë e Parrucës.
Aktiviteti ka nisur me këndimin e sures “El-Mulk”
nga Hafiz Mustafa Çakar. Me zërin e tij të ëmbël e
kumbues, ai ka bërë për vete zemrat e besimtarëve që
kanë pasur çfarë të marrin nga ky këndim i veçantë.
Më pas Myftiu Imam Muhamed Sytari i ka dhënë fjalën
z. Hamdi Kavillioğlu, Myfti i Iskenderunit, që ka
mbajtur një këshillë fetare të vlefshme për
besimtarët që kishin mbushur xhaminë e Parrucës. Ai
ka hedhur dritë mbi cilësitë që e karakterizojnë
besimtarin, sipas ajeteve kur’anore. Njëkohësisht ai
ka shprehur gëzimin e tij për praninë në mesin e
besimtarëve muslimanë në Shkodër dhe është lutur për
begatinë dhe mirësinë e tyre në të dy jetët.
Ndërkohë, në hytben e xhumasë, Myftiu i Shkodrës ka
dhënë shembuj nga dashuria e të parëve për të
dërguarin e All-llahut. Ai ka theksuar se është e
domosdoshme që fryma e kësaj dashurie të ndezë
zemrat e besimtarëve sot në Shkodër dhe të kthehet
në energji pozitive për jetën. Njëkohësisht, Myftiu
ka ftuar të pranishmit që të luten për shpirtin e H.
Faik Hoxhës, që është ndarë dje nga kjo jetë.
Pas përfundimit të riteve të xhumasë, besimtarët
janë përshëndetur me miqtë nga Turqia, duke i
falënderuar për praninë, këshillat dhe emocionet e
këndimit të Kur’anit që dhuruan në këtë ditë të
madhe.