Të hënën, më 9 maj 2011, ka 
							mbërritur në Shkodër për një vizitë dy ditore, 
							dijetari dhe edukatori i shquar islam nga Turqia, 
							Osman Nuri Topbash.
            
							Gjatë kësaj vizite, Hirësia e Tij është ndalur 
							fillimisht në medresenë e vajzave të Shkodrës, ku ka 
							marrë pjesë në një aktivitet për nder të vizitës së 
							tij. Aty, ai ka mbajtur një bisedë të dobishme për 
							medresistet, ku ka dhënë këshillat e tij për zënien 
							e dijeve, moralit islam dhe përhapjes së këtyre 
							mësimeve edhe përtej shkollës.
            
							Ndërkohë, pasditën e të hënës, autori i dhjetra 
							librave me dobi në fusha të ndryshme të edukimit, 
							moralit, historisë islame dhe civilizimit islam, 
							Osman Nuri Topbash, ka zhvilluar një vizitë edhe në 
							Myftininë Shkodër. Aty, ai është pritur nga Myftiu 
							Imam Muhamed Sytari, që i ka uruar mirëseardhjen në 
							Shkodër. Myftiu e ka konsideruar këtë vizitë si një 
							bekim për Shkodrën dhe besimtarët e saj. “Vitin e 
							kaluar, ju patët mirësinë të vizitonit Shkodrën dhe 
							Myftininë e saj. Begatia e kësaj vizite reflektoi në 
							mbarësinë e punës sonë. Jam i bindur se edhe kjo 
							vizitë sjell me vete bekime dhe lutje mbarësie për 
							Myftininë tonë dhe mbarë Shkodrën”- ka thënë Myftiu.
            
							Nga ana e tij, dijetari Osman Nuri Topbash ka uruar 
							mbarësi dhe sukses të vazhdueshëm për Myftininë 
							Shkodër. Ai ka vlerësuar arritjet e deritanishme të 
							Myftinisë dhe ka nxitur ruajtjen e ritmit të 
							aktiviteteve dhe ecurisë së saj.
            
							Me këtë rast, Myftiu i ka dhuruar dijetarit të 
							shquar turk foton e xhamisë së Sulltan Mehmet 
							Fatihut në kalanë Rozafa të Shkodrës. Ai ka theksuar 
							se: “Sulltan Mehmet Fatihu është një emblemë e 
							bekuar e dritësimit të Evropës me fenë e pastër 
							Islame. Xhamia e tij në kalanë e Shkodrës është një 
							gjurmë e bekuar e lidhjes së vulosur të shqiptarëve 
							me Islamin dhe pasardhësit e Sulltanit të sihariquar 
							nga Resulull-llahi (a.s)”.
            
							Vizita e mikut të shtrenjtë nga Turqia ka vijuar me 
							një aktivitet masiv në sallën e konferencave të 
							medresesë së djemve, ku ka folur mbi vlerat e dhjetë 
							ajeteve të para të sures “El-Mu’minunë”.
            
							Dijetari Osman Nuri Topbash do të vijojë vizitën e 
							tij në Shkodër edhe ditën e nesërme, ku do të 
							vizitojë edhe medresenë e djemve, ku do të takohet 
							me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, pastaj do të 
							udhëtojë drejt Kosovës, për të vijuar vizitën e tij 
							atje.
M. Myftija
                			
							 
                					 
                					 
                					 
                					 
                					 
                					
								
                        				
									 
								
                					 
								
									 
								
                					 
								
									 
								
                					 
								
									 
								
                					 
								
									 
								
                					 
								
									 
								
                					 
								
 
