Pasditen e së xhumasë, më 6 maj
2011, Myftinia Shkodër ka zhvilluar një ceremoni
solemne me rastin e akordimit të titullit të lartë “Qytetar
Nderi” për tre hoxhallarë të shquar të Shkodrës, H.
Muhamed Bekteshi, Salih ef. Myftija dhe H. Esat
Myftija.
Ceremonia ka nisur me një film rreth 15 minuta mbi
jetën dhe veprën e këtyre hoxhallarëve të shquar, të
cilët ia përkushtuan jetën e tyre mësimeve të fesë
islame dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Më pas, në fjalën e tij Myftiu Imam Muhamed Sytari
ka vënë në dukje se jeta dhe vepra e këtyre burrave
të shquar është një shembull që duhet ndjekur nga
brezat. “Ata, jo vetëm që shërbyen për interesat e
fesë, por dhanë një kontribut të dukshëm në
mbrojtjen e vlerave tona kombëtare, që burojnë
pikërisht përkushtimi i këtyre burrave dhe dashuria
e tyre për besimin, dijen dhe përparimin e shoqërisë”-
ka theksuar Myftiu.
Në fjalën e tij, ai ka kujtuar se nderimi i këtyre
tre hoxhallarëve sot, është një detyrim më i madh
për ta vazhduar rrugën e tyre, lartësimin e vendit
të dijes, përkushtimit dhe ruajtjes së harmonisë në
shoqëri. Njëkohësisht, Myftiu ka falënderuar
Këshillin Bashkiak të Shkodrës për këtë titull të
lartë të akorduar për këta hoxhallarë të nderuar.
Me shumë emocion, të pranishmit e shumtë që kishin
tejmbushur sallën e konferencave në GHE, kanë
ndjekur dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” për
secilin prej hoxhallarëve të propozuar nga Myftinia
Shkodër për këtë nderim. Trashëgimtarët e këtyre
dijetarëve të nderuar kanë falënderuar Myftininë dhe
Këshillin Bashkiak Shkodër për këtë vlerësim dhe
nderim për baballarët e tyre.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit i kanë
kushtuar një “Fatiha” shpirtit të hoxhallarëve H.
Muhamed Bekteshi, Salih ef. Myftija dhe H. Esat
Myftija, që është lexuar nga nxënësi i tyre, H. Musa
Hoxha.
Të pranishmit kanë patur mundësi të kalojnë edhe
disa çaste të gëzueshme në shoqëri të njëri-tjetrit
në një ftesë për kafe të organizuar me këtë rast.
|
|
|
|