Në një atmosferë të ngrohtë, mes
besimtarëve, familjarëve dhe autoriteve të larta
lokale të Shkodrës, është zhvilluar promovimi i
monografisë: “Faik Hoxha para pasqyrës së një jete…”
të autorit Muhamed Sytari.
Aktiviteti ka nisur me fjalën e teologut Arben
Halluni, në të cilën ka vlerësuar kontributin e
Myftiut të Shkodrës për të nxjerrë në dritë këtë
vepër, ku autori është përpjekur të sjellë para
duarve të lexuesit momentet më interesante të jetës
dhe kontributit të Myftiut Haxhi Faik Hoxha. Ai ka
theksuar se kjo vepër është një gjurmë e rëndësishme,
sidomos kur kemi parasysh faktin që një Myfti
shkruan për një pararendës të tij, në Shkodër.
Aktiviteti ka vijuar me fjalën e studiuesit Islam
Dizdari, redaktor i librit. Ai ka vlerësuar rolin e
madh që Myftiu H. Faik Hoxha ka dhënë në 12 vitet e
drejtimit të tij të Myftinisë Shkodër. Në fjalën e
tij, z. Dizdari ka falënderuar edhe mundin e
thirrësit islam Imam Muhamed Sytari për të na
servirur këtë libër, në të cilin mund të lexohet
qartë personaliteti dhe gjurmët e Haxhi Faik Hoxhës.
Nëpërmjet videoprojektorit, të pranishmit kanë patur
mundësi të ndjekin momentet më interesante të jetës
dhe kontributit të H. Faik Hoxhës gjatë viteve të
jetës së tij. Materiali në fjalë është ndjekur me
shumë emocion dhe vlerësim për kontributin e madh që
ai ka dhënë për 12 vite të drejtimit të Myftinisë
Shkodër, por edhe përtej saj.
Aktiviteti ka vazhduar me fjalën e autorit të kësaj
monografie, Imam Muhamed Sytari. Gjatë saj, ai ka
shpjeguar arsyet që e kanë nxitur drejt kësaj pune.
Ai ka vlerësuar se H. Faik Hoxha është një shembull
që duhet ndjekur, sidomos nga thirrësit islamë të
kësaj kohe. Ai ka thënë se 12 vite në drejtim të
Myftinisë Shkodër, kanë qenë vitet më interesante
dhe më produktive të jetës së tij.
Në emër të familjes Hoxha, ka përshëndetur z. Qashif
Hoxha, cili ka falënderuar autorin për këtë
kontribut dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë
organizim. Ai ka theksuar se jeta e të atit, H. Faik
Hoxha, ka qenë e mbushur me një dashuri të madhe dhe
përkushtim në shërbim të Myftinisë Shkodër,
harmonisë dhe dashamirësisë së qytetarëve të saj.
Njëkohësisht ai ka uruar Myftininë Shkodër për
suksese të mëtejshme dhe përparim në shërbim të
komunitetit, besimit dhe interesave kombëtare.
Në fund të këtij promovimi, të pranishmit kanë patur
mundësi të marrin në dorë librin mbi jetën e H. Faik
Hoxhës dhe kanë kaluar momente të këndshme në një
ftesë për kafe dhe çaj.
Al. Hoxha
|
|
|
|