Ditën e xhuma, më 29 prill 2011,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari e ka falur të
xhumanë në xhaminë e fshatit Shtoj i Vjetër. Në
hytben e kësaj jave, Myftiu është ndalur te vlera e
istigfarit në jetë dhe domosdoshmëria e gjallërimit
të xhamive me mexhlise dhikri, salavati e këndim
Kur’ani, sipas traditave të pastra profetike.
Në këtë hytbe, Myftiu ka tërhequr vëmendjen e
besimtarëve dhe ka kërkuar që të shtohet praktikimi
i istigfarit në jetën e përditshme. Myftiu ka
theksuar se shtimi i istigfarit bën ndryshimin e
realiteteve, si një mrekulli hyjnore në jetën tonë.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur ajete dhe hadithe
të ndryshme, që vërtetojnë faljen e madhe me të
cilën All-llahu i pret të penduarit dhe begatitë e
shumta, me të cilat i mbulon si pasojë e kësaj falje.
“Çfarë fituan shqiptarët për 23 vite ateizëm? Çfarë
fituan shqiptarët në këto 21 vite të tjera? Fituan
devijim, çthurrje, ç’burrërim e largim nga feja e
pastër e All-llahut. Prandaj, kemi nevojë të
praktikojmë istigfarin, që Zoti të na shpëtojë nga
këto realitete në të cilat jetojmë! Duhet ta bëjmë
këtë për vete, për fëmijët tanë, për familjet, për
shoqërinë, për vendin tonë të dashur”- ka thënë
Myftiu gjatë hytbes së tij.
Gjatë hytbes, ai ka përmendur edhe vlerën e madhe që
ka angazhimi për ta gjallëruar xhaminë me aktivitete
të dobishme në shërbim të komunitetit.
Al. Hoxha
|
|
|