Para pak ditësh shtëpia botuese
“LOGOS-A”, në Shkup, ka nxjerrë në qarkullim një
libër mbi jetën e Myftiut të Shkodrës (1991-2003),
H. Faik Hoxha.
Libri në fjalë është vepër e thirrësit islam Imam
Muhamed Sytari (aktualisht Myfti i Zonës Shkodër).
Në rreshtat e këtij libri, autori ka shpjeguar
qëllimin e kësaj pune, duke u shprehur se: “heshtja
e madhe me të cilën është rrethuar personaliteti i
Myftiut Faik Hoxha (më jetëgjati në drejtimin e
kësaj detyre të vështirë, aq më tepër në një qytet
si Shkodra e pas viteve 1990) dhe elementë të shumtë
përreth saj, që e bëjnë më intriguese, më kanë “thirrur”
dhe më kanë “kërkuar”, për t’u bërë nxitësit
kryesorë që në një ditë të bukur qershori, të trokas
në derën e madhe të shtëpisë së vjetër të Haxhi Faik
Hoxhës, për t’i kërkuar me vendosmëri të më hapë “dosarët”
e jetës së tij, për të parë në to se kush është në
të vërtetë ky njeri që kaderi e solli të ishte Myfti
i Shkodrës për 12 vite me radhë! Çfarë përfaqëson ai
në mesin e një vargu të gjatë hoxhallarësh,
myftilerësh e shërbyesish të përkushtuar ndaj
Thirrjes Islame në vendin tonë? Çfarë kontributi ka
ai në lëvizjen islame të këtyre dy dekadave të
fundit në Shkodër, por jo vetëm? E, në prehrin e 80
viteve jetë që mban mbi supe, si e ndjen veten
përpara pasqyrës së jetës? Një jete, plot peripeci e
ngjyra..!? Një jetë plot vuajtje, mundime, por edhe
të papritura të këndshme...”- (fq. 7-8).
Më pas, në faqet e këtij libri janë përfshirë
intervistat që autori ka zhvilluar me personazhin
kryesor të kësaj vepre, duke marrë direkt nga goja e
tij të pathënat e një jete të mbushur me zhvillime
të ndryshme.
Një vend i domosdoshëm në këtë libër i kushtohet
edhe personalitetit të Sheh Qazim Hoxhës, për të
cilin i biri rrëfen momente shumë interesante nga
jeta dhe mendimi i tij.
Autori ka shfrytëzuar edhe arkivin e Myftinisë
Shkodër për të nxjerrë prej tij fazat nëpër të cilat
kaloi kjo myftini nën drejtimin e Faik Hoxhës. Në
këtë kapitull të titulluar “Gjurmë arkivi…”, autori
ka theksuar se: “Nëpërmjet këtyre shkresave (jo tërë
shkresave të viteve të Myftinisë së tij), lexuesi do
të ketë mundësi të lexojë në mënyrë të
drejtpërdrejtë zhvillime interesante të jetës fetare
islame në Shkodër në disa momente të zhvillimit të
saj.
Nëpërmjet deklaratave e fjalimeve, relacioneve me
shkrim, kërkesave për ndërtim të xhamive a lirim të
objekteve islame të zëna padrejtësisht, projekteve
për zhvillimin e aktiviteteve elitare, afrimin e
intelektualëve Myslimanë të kohës, gjallërimin e
bibliotekës islame shqiptare me libra seriozë që
pasurojnë njohuritë tona mbi jetën e hoxhallarëve
mendjendritur të Shkodrës (si: “Në kujtim të brezave”,
“Mevludet në gjuhën shqipe” etj), organizimin e
ceremonive fetare për netët e mëdha, këndimin e
mevludit etj, përpjekjet për hapjen e medresesë,
marrëdhëniet me shoqatat bamirëse islame etj, mund
të krijohet një imazh i përpjekjes, në vazhdimësi,
për t’i shërbyer Thirrjes Islame në Shkodër
gjatë kësaj periudhe.
Në arkivin e atyre viteve (të cilin e kam shfletuar,
lexuar e hulumtuar me shumë vëmendje e durim), ka
dokumente të ndryshme e të shumta ( vende-vende, jo
të bollshme), që po të analizohen së bashku, mund të
vizatojnë mjaft mirë para syve tanë realitetin e
vërtetë të Myftinisë Shkodër dhe të personazheve të
saj shumëngjyrëshe në këtë periudhë 20 vjeçare. Por
sikurse ka thënë Imam Maliku: “Prej çdo njeriu
merret, por edhe refuzohet!”, ç’ka vërteton natyrën
njerëzore të secilit prej nesh! E, ndoshta, ky është
një rregull i artë që përcakton kufijtë e vërtetë të
veprës dhe jetës tonë.
Shpresoj se lexuesi do të më kuptojë dhe do të më
japë të drejtë për çfarë kam shkruar e çfarë i kam
afruar në këto rreshta të kësaj monografie.”- (fq.
47-48).
Libri në fjalë është i pari që i kushtohet një
Myftiu në Shkodër.
Ahmed Mahiri
|