Paraditen e së dielës, më 24
prill 2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka zhvilluar
vizitën tradicionale në dy kishat e qytetit, me
rastin e festës së shënuar të Pashkëve për
komunitetin ortodoks dhe atë katolik.
Në Famullinë Ortodokse, Myftiu i ka shprehur urimet
më të përzemërta At Aleksandër Petanit dhe
besimtarëve të pranishëm në kishë. Myftiu ka
garantuar se fryma e harmonisë ndërfetare që
ekziston në këtë qytet është një amanet i shtrenjtë
që duhet ruajtur, kultivuar dhe përcjellur edhe te
brezi i ri.
Edhe para mediave të pranishme, ai ka përsëritur
urimet e sinqerta për komunitetin ortodoks dhe ka
dhënë një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen e
harmonisë ndërfetare si simboli i dashurisë dhe
mirësisë në tokë.
Ndërkohë, në Famullinë Katolike, ai i ka përcjellur
mesazhin e paqes dhe harmonisë, Arqipeshkvit mons.
Angjelo Massafra dhe besimtarëve të pranishëm. Në
bisedën e përzemërt, pasi ka bërë urimin e festës,
Myftiu ka theksuar se është mirësi e madhe që këto
ditë të shënuara na bëjnë të jemi më pranë
njëri-tjetrit dhe të përcjellim kudo mesazhin e
harmonisë dhe vlera besimore.
Edhe para mediave të pranishme Myftiu është lutur
për harmoninë në komunitet dhe vlerat e
mrekullueshme të bashkëjetesës ndërfetare në vendin
tonë.
|
|
|
|