Pasditen e së enjtes, më 21 prill
2011, në sallën e konferencave pranë Medresesë së
djemve, Myftinia Shkodër ka zhvilluar një ceremoni
solemne me rastin e nderimit të 10 imamëve të vitit
2010.
Aktiviteti që ka nisur me këndimin e një pjese
kur’anore, është përshëndetur nga Myftiu Imam
Muhamed Sytari. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai ka
përmendur se: “Kam gjykuar se nderimi i përvitshëm i
imamëve, është vlerësim për punën e vetë Myftinisë,
besim në kohën tonë, mesazh jete për ecurinë e
mëtejshme të kësaj Thirrje Islame të dritshme në
këtë tokë! Ky vit, në drejtim të Myftinisë Shkodër,
ishte më i gjati i jetës sime. Gjatë tij, kam pasur
mundësi të lëviz në çdo cep të saj. Javë pas jave,
hytbe pas hytbeje, takim pas takimi, kam parë me
sytë mi dhe kam prekur prej afër realitetet e
pathëna të Myftinisë Shkodër, të lëvizjes islame, të
Thirrjes, të prezencës së besimit në jetën e
përditshme të njerëzve. Pa dyshim, kam mbajtur
shënime, kam analizuar, jam këshilluar e kam
ndërhyrë, aty ku e kam gjykuar të drejtë ta bëj një
gjë të tillë. Shumë gjëra nuk janë realizuar nga
kokëfortësia e realiteteve! Por, mbi të gjitha këto
e, përtej hijeve, kam ndjerë nga afër dritën e
mbarësisë hyjnore, mbrojtjen dhe garancinë e ecjes
përpara, larg tundimeve dhe frikës! Dhe kjo më ka
mjaftuar për të mos e ulur kokën dhe për të mos u
dorëzuar!”
Më pas, Myftiu ka falënderuar imamët dhe ka shprehur
mirënjohjen e tij ndaj tyre. Ai ka thënë: “Në gjithë
këtë ecuri 364 ditore në drejtimin tim të Myftinisë
Shkodër, mendoj se është momenti të vlerësoj dhe të
nderoj përpara jush mundin dhe përkushtimin e
imamëve të 52 xhamive funksionale në rrethin tonë.
Ata janë fytyra e vërtetë e Myftinisë Shkodër! Ata
janë njerëzit që meritojnë më të madhin respekt,
vlerësimin më të denjë, mirënjohjen. Pa prezencën e
tyre, pa sakrificën e dëshmuar, pa sinqeritetin e
tyre ndaj Zotit dhe Thirrjes Islame, nuk do ishim ku
jemi e, nuk mund të arrijmë, ku aspirojmë! Prandaj,
me përulje ndaj imamëve tanë të nderuar shpreh
mirënjohjen time të thellë për punën e secilit, për
korrektësinë dhe seriozitetin, për dashurinë e madhe
me të cilën kanë kontribuar dhe vazhdojnë, duke
shpresuar shpërblimin dhe pëlqimin e All-llahut të
Madhëruar!”.
Më pas, ka referuar Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, që ka zbardhur argumente dhe fakte
mbi rolin e imamit në xhami dhe përtej saj. Ai ka
falënderuar këtë organizim dhe ka dhënë disa
këshilla të vlefshme për imamët, prijësit fetarë dhe
thirrësit islamë.
Me shumë emocion, të pranishmit kanë përjetuar
shpërndarjen e çertifikatave të mirënjohjes për
dhjetë imamët e përzgjedhur për vitin 2010. Nga ana
e tyre, me shumë emocion, imamët kanë falënderuar
Myftininë Shkodër për këtë vlerësim dhe nderim,
sikurse kanë shprehur mirënjohjen e tyre për
xhematet përkatëse dhe harmoninë në mes tyre.
Aktiviteti është mbyllur me fjalën e teologut Arben
Halluni, që ka folur mbi rëndësinë e drejtimit fetar,
si dhe përgjegjësitë e mëdha që ka imami, si
drejtues i xhematit dhe mësues i udhëzimeve fetare.
Imamët e vitit 2010:
1. Adem Pizga – Xhamia Perash.
2. Agim Hoxha – Xhamia Boks.
3. Edvin Çela – Xhamia Golem.
4. Fejzi Zaganjori – Xhamia Rus.
5. Idmir Plaku – Xhamia “Ebu Bekër”.
6. Jetmir Braqi – Xhamia Trush.
7. Kujtim Cufaj – Xhamia Kullaj.
8. Naim Drijaj – Xhamia Parrucë.
9. Shkëlqim Sykaj – Xhamia Dragoç.
10. Shukri Kapllan – Xhamia Bushat.
|
|
|
|