Nga minberi i xhamisë së fshatit
Bushat, të xhumanë, më 15 prill 2011, Imam Muhamed
Sytari ka bërë thirrje që të meditohet në misionin
mëshirë me të cilin u dërguar profeti i fundit, hz.
Muhammedi (a.s).
Gjatë hytbes së tij, Myftiu ka folur me shembuj
konkretë për mëshirën e të dërguarit të All-llahut
për jomuslimanët. Për këtë ka thënë: “Shumë herë
nëpërmjet minberit a foltoreve të ndryshme, ne
flasim për mëshirën universale me të cilën u dërgua
hazreti Muhammedi (a.s), duke përmendur shembuj për
raportet e tij me sahabët e besimtarët përreth tij.
Por, po të shohim me vëmendje dhe të lexojmë si
duhet historinë islame, do të gjejmë shembuj të
shumtë që vërtetojnë mëshirën e pejgamberit tonë (a.s.)
edhe për jomuslimanët. Asnjëherë nuk i ka mallkuar
ata! Kurrë nuk u ka dashur të keqen! Asnjëherë nuk
ka kërkuar që të lëndohen a t’u shkelen të drejtat!
Kjo na bën të meditojmë dhe të shikojmë në
realitetet e sotme. Kudo që jetojmë të rrethuar nga
jomuslimanë, le të jemi të mëshirshëm me ta. Le të
lutemi për të mirën e tyre. Le të jetojmë në harmoni
me ta dhe të kujdesemi për të ruajtur vlerat e
besimit dhe fesë tonë të shtrenjtë!”
Pas përfundimit të xhumasë, Myftiu është takuar me
besimtarët dhe ka shpjeguar edhe nevojën e madhe për
të kërkuar pronat e shenjta të muslimanëve. Këtu, ai
ka gjetur mbështetjen dhe urimet e besimtarëve të
Bushatit, të cilët janë ankuar gjithashtu për shumë
prona vakëf në këtë fshat, që akoma nuk janë kthyer
për shfrytëzim nga xhamia dhe Myftinia.
Njëkohësisht, i shoqëruar edhe nga imami i kësaj
xhamie, Hafiz Shukri Kapllan, Myftiu ka inspektuar
punimet cilësore që i janë bërë Qendrës Islame të
kësaj xhamie që mbështetet nga pasuesit dhe nxënësit
e dijetarit të shquar turk, Shërbëtori i Kur’anit,
Sulejman Hilmi Tunahan.
Me këtë rast, Myftiu ka falënderuar kontributin e
madh e të vyer që Vakfi Sulejmani ka dhënë në
Shkodër e përtej saj, duke hapur qendra për mësimin
e Kur’anit dhe ruajtjen e traditave të pastra islame
të vendit tonë.
A. Mahiri
|
|
|