Pasditen e së enjtes, më 14 prill
2011, anëtarët e Këshillit të Myftinisë Shkodër kanë
vizituar në shtëpinë e tij, Myftiun e Nderit të
Shkodrës, H. Faik Hoxha.
Pasi janë interesuar për shëndetin e Myftiut të
Nderit, anëtarët kanë shprehur kënaqësinë e tyre për
këtë takim, që përkon edhe me përvjetorin e 81- të
të tij.
Në urimin e tij, Myftiu Imam Muhamed Sytari i ka
bërë H. Faik Hoxhës dy surpriza të këndshme e me
vlerë. “Fillimisht, më lejoni t’ju lajmëroj se sot
ka dalë nga shtypi, në Shkup, monografia ime për
jetën e Haxhi Faik Hoxhës. Ndonëse libri, akoma nuk
ndodhet në dorën time, pas disa ditësh, kur t’jua
dhuroj do ta nënshkruaj me datën e sotme. Së dyti,
teksa kërkoja në bibliotekën e hoxhallarëve të
shkuar të Shkodrës, gjeta edhe një shënim shumë
interesant në gjuhën arabe, me dorën e babait tuaj,
Sheh Qazim Hoxha. Janë dy vargje shumë domethënëse,
me të cilat ai paralajmëronte rrezikun e komunizmit
në Shqipëri. Në këto vargje thuhet: “Nuk kam parë
zullum si zullumi që na ka rënë mbi kokë – Na bëhet
keq dhe urdhërohemi të falënderojmë!” Po jua
dhuroj me shumë kënaqësi, si një kujtim i kësaj dite
dhe i kësaj vizite”- ka thënë Myftiu teksa i
dhuronte kornizën në brendësi të së cilës ishte një
foto me vargjet në fjalë.
Nga ana e tij, H. Faik Hoxha ka shprehur kënaqësinë
e tij me rastin e kësaj vizite dhe është lutur për
më të mirën e të pranishmëve. Ai ka falënderuar
prezencën e tyre, si një dëshmi të respektit dhe
nderimit për moshën dhe vendin e tij.
Kleves Kraja
|
|
|
|