Paraditen e së mërkurës, më 13
prill 2011, është organizuar një aktivitet fetar në
përkujtim të lindjes së profetit Muhammed (a.s), në
fshatin Trush. Oborri i xhamisë ishte i mbushur me
qindra besimtarë të moshave të ndryshme, të cilët
kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë festë të
madhe popullore për banorët e këtij fshati.
Fjalën e hapjes e ka mbajtur imami i kësaj xhamie,
teologu Jetmir Bracej, i cili ka vlerësuar
pjesëmarrjen e madhe të banorëve të këtij fshati në
këtë ceremoni fetare me rastin e përkujtimit të
jetës dhe mesazheve hyjnore me të cilat u dërgua hz.
Muhammedi (a.s). Ai ka nxitur dashurinë për të
dërguarin e All-llahut dhe pasimin e traditave të
tij në jetë.
Ndërkohë, në fjalën e tij, Myftiu Imam Muhamed
Sytari, pasi ka vlerësuar traditën e mirë të
muslimanëve të kësaj zone për ta mbajtur të gjallë
përkujtimin e hazreti Muhammedit (a.s), ka dhënë
disa shembuj të dashurisë së sahabëve për të
dërguarin e All-llahut. Në fjalën e tij, Myftiu i
është referuar muezinit të profetit, Bilalit (r.a)
dhe dashurisë së madhe që ai kishte për profetin.
Myftiu ka kërkuar që kjo frymë dashurie të mbahet e
gjallë në zemër dhe të mëkohet te çdo fëmijë dhe i
ri. Njëkohësisht ai është lutur, sëbashku me të
pranishmit që dëshmonin dashurinë e tyre për
profetin: “O Zot dëshmo se ne e duam Resulull-llahin!
O Zot ruaje të paprekur këtë dashuri, brez pas brezi,
në këtë vend e në bijtë tanë! O Zot na tubo në ditën
e gjykimit, siç jemi tubuar sot, me të dërguarin
Tënd të dashur!”
Aktiviteti ka vijuar me këndimin e disa pjesëve nga
mevludi, ilahi të përzgjedhura dhe salavate me
xhemat. Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit
kanë falur sëbashku edhe namazin e mesditës dhe janë
përshëndetur me rastin e kësaj feste të madhe
popullore.
M. Hoxha
|
|
|
|