Paraditen e së hënës, më 11 prill
2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka bërë një vizitë
zyrtare në Qendrën “Progresi”, ku është pritur nga
drejtori i saj, teologu Artur Tagani.
Me këtë rast Myftiu ka uruar drejtorin e ri të “Progresit”
për detyrën dhe është lutur për mbarësinë e tij në
drejtim të kësaj qendre islame që po jep ditë pas
dite kontributin e saj në rritjen dhe kultivimin e
vlerave islame në Shkodër.
Ndërkohë, drejtori i “Progresit”, ka falënderuar
Myftiun për vizitën dhe ka shprehur gëzimin e tij
për këtë takim zyrtar në këtë kohë. Ai ka vlerësuar
rolin e Myftinisë Shkodër në organizimin dhe
drejtimin e Thirrjes Islame, duke e konsideruar edhe
kontributin e kësaj qendre islame si pjesë të
pandarë të Myftinisë Shkodër.
Gjatë këtij takimi, Myftiu ka shfrytëzuar rastin për
të uruar edhe stafin e revistës “Etika”, për pesë
vjetorin e botimit të parë të saj. Myftiu ka
theksuar se “Etika”, po bëhet dita-ditës një botim
elitar, plot vlera e dobi, që rrezatojnë gjurmë të
pastra të kulturës dhe qytetërimit islam në Shkodër
dhe në krejt trojet shqiptare. Me këtë rast, ai i ka
dorëzuar kryeredaktorit dhe drejtorit të kësaj
reviste, z. Alban Kali, një mesazh urimi me rastin e
5- vjetorit të daljes së saj dhe ka uruar mbarësi të
mëtejshme për krejt ata që punojnë për lartësimin e
vlerave islame në këtë qendër.
Në këtë vizitë, Myftiu shoqërohej nga përgjegjësi i
kulturës dhe arsimit në Myftininë Shkodër, teologu
Arben Halluni.
A. Mahiri
|
|
|