Pas licencimit të
Universitetit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
me vendim të Këshillit të Ministrave, dt. 6 Prill
2011, është inauguruar një ditë më pas dhe pikërisht
sot, Universiteti BEDËR, duke bërë më në fund
realitet një nga ëndrrat e kahershme të myslimanëve
shqiptarë.
Në këtë ditë të feste nderonin me pjesëmarrjen e
tyre Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha,
anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të
komuniteteve fetare, të trupit diplomatik, drejtues
të institucioneve shtetërore dhe organizatave
joqeveritare. Merrnin pjesë po ashtu personalitete
të shquara nga trevat shqiptare, të cilat kishin
ardhur për të uruar dhe marrë pjesë në gëzimin e
kësaj dite historike për Islamin dhe myslimanët në
Shqipëri.
Të pranishmit i ka përshëndetur rektori i
Universitetit BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana. Duke
falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për
ngritjen e kësaj vatre të re dijeje dhe edukimi, z.
Gjana u shpreh se ky universitet do të shërbejë për
arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj në
përputhje me parimet dhe vlerat universale islame.
Z. Gjana ka ftuar kryetarin e Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, H. Selim Muça për të bërë
përshëndetjen e rastit. Në fjalën e tij z. Muça ka
vlerësuar përpjekjet që janë bërë në këtë drejtim
dhe që u kurorëzuan me hapjen e kësaj fidanishteje
të re islame. Ai vlerësoi si tepër të rëndësishme
mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të shtetit
shqiptar. Sipas tij, ky institucion do të shërbejë
jo vetëm për edukimin dhe arsimin e gjeneratave të
reja, por edhe për konsolidimin e harmonisë
ndërfetare, që ka qenë dhe mbetet një nga vlerat e
rralla të shoqërisë shqiptare.
Kryetari Muça ka ftuar më pas Kryeministrin Sali
Berisha për të përcjellë mesazhin e tij. Në fillim
të fjalës së tij z. Berisha falënderoi kreun e KMSH-së,
Haxhi Selim Muça për kontributin e tij në drejtim të
institucionit më të madh fetar në vend. Duke e
konsideruar hapjen e këtij universiteti si një
kontribut të madh për vendin, z. Berisha tha se kjo
shkollë është një zhvillim i rëndësishëm në formimin,
edukimin dhe promovimin e mësimeve të Kur’anit. Ai u
shpreh me nota pozitive për bashkëjetesën e paqtë
mes besimeve në Shqipëri, duke e konsideruar këtë
gjë si një pasuri të madhe për një komb të vogël si
Shqipëria.
“Shqiptarët janë një komb me liri të plotë besimi,
por nga ana tjetër respektojnë plotësisht besimet e
njëri-tjetrit. Jam i bindur se ky universitet do të
japë një kontribut të madh në konsolidimin gjithnjë
e më të madh të këtij virtyti të arrirë që kanë
shqiptarët dhe kombi ynë në veçanti”, tha z. Berisha,
ndërsa shprehu bindjen se te mirëkuptimi,
bashkëpunimi dhe toleranca ndërfetare qëndron forca
e besimit te Zoti.
“Ky mesazh njerëzor dhe hyjnor u ripërtëri pas një
kalvari të egër dhe po rezonon gjithnjë e më shumë
në Evropë dhe botë. Për 45 vite me radhë ky komb
ishte arenë e përballjes midis besimit tek Zoti dhe
rrugës tjetër, që donte me çdo kusht t’i bindte
shqiptarët se ajo ishte rruga e vetme. Por ai sistem
dështoi, ndërsa ju u ngritët dhe ja tek jeni sot për
të përfaqësuar vlerat më të mira të besimit dhe
kulturës shqiptare”, mbylli mesazhin e tij
Kryeministri i Shqipërisë.
Më tej, Kryetari Muça dhe Kryeministri Berisha kanë
prerë shiritin e inaugurimit, duke i hapur kështu
rrugën këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit
islam dhe atij kombëtar. Ata kanë vizituar më pas
ambientet e brendshme të godinës së universitetit,
teksa kanë takuar dhe janë përshëndetur me shumë të
rinj që kanë shfaqur dëshirën për të ndjekur
studimet e larta pranë këtij institucioni të ri
arsimor.
Universiteti BEDËR do të ofrojë programe studimore
të ciklit të parë në dy fakultete me gjashtë
departamente. Në Fakultetin e Shkencave Humane do të
ofrohen programet e studimit në Departamentin e
Shkencave Islame, Departamentin e Shkencave Juridike
dhe Departamentin e Shkencave të Komunikimit. Ky
fakultet do të përmbajë gjithashtu edhe një qendër
kërkimore “Për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor”. Fakulteti
i Filologjisë dhe Edukimit do të ofrojë tre mundësi
të tjera studimi në Departamentin e Gjuhës dhe
Letërsisë Angleze, Departamentin e Gjuhës dhe
Letërsisë Arabe dhe Departamentin e Gjuhës dhe
Letërsisë Turke. Ndërkohë, në këtë fakultet do të
jetë aktive edhe Qendra kërkimore-zhvillimore “Për
Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe”.
Mësimdhënia në Universitetin BEDËR do të zhvillohet
në gjuhët shqipe, arabe dhe turke, ndërkohë që edhe gjuha
angleze do të jepet në mënyrë intensive si lëndë e
gjuhës së huaj gjatë gjithë kohëzgjatjes së
studimeve.
Ky institucion arsimor synon përshtatjen me
konceptin akademik të parimeve themelore islame dhe
njerëzore, duke vlerësuar traditën mbarëshqiptare
dhe vlerat universale. Përgatitja e specialistëve të
lartë, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e
shoqërisë në ndryshim dhe zhvillim si dhe ndërmarrja
e studimeve dhe punës kërkimore për çështje sociale
që shqetësojnë myslimanët shqiptarë dhe shqiptarët
në tërësi në hapësirën ku jetojmë është një tjetër
synim i rëndësishëm i Universitetit BEDËR.
Si një institucion i standardeve ndërkombëtare,
Universiteti BEDËR synon tërheqjen dhe arsimimin e
të rinjve jo vetëm nga Shqipëria dhe hapësira
mbarëshqiptare, por edhe nga vendet e tjera të
rajonit dhe Evropa.
KMSH
|