Paraditen e së mërkurës, më 6
prill 2011, ka nisur puna për hapjen e themeleve për
përfundimin e rrethimit të zonës vakëf në territorin
e xhamisë së Plumbit.
Këto punime, vijnë si rezultat i kërkesave dhe
përpjekjeve të përsëritura të Myftinisë Shkodër për
të arritur në këtë pikë, ku është hapur
përfundimisht rruga për rrethimin e plotë dhe
rehabilitimin e kësaj zone të begatë, në mesin e së
cilës ndodhet xhamia e Plumbit, monument kulture.
I pranishëm në këtë ndërhyrje të mirëpritur për
Myftininë Shkodër dhe besimtarët e saj, Myftiu Imam
Muhamed Sytari, ka përgëzuar iniciativën pozitive të
Bashkisë Shkodër për të bërë detyrën e saj në lidhje
me lirimin e një pjese të zënë të këtij territori me
një ndërtim të paligjshëm.
Në një komunikim publik me mediat e pranishme,
Myftiu ka shpjeguar rëndësinë e kësaj ndërhyrje në
këtë zonë. Ai ka falënderuar Bashkinë Shkodër dhe
kryetarin e saj në veçanti, për ndërhyrjen e duhur
dhe përgjigjen e kërkesave të shumta të Myftinisë,
që kulmuan me deklaratën publike të Myftiut me 16
mars 2011. Ai ka theksuar se Myftinia Shkodër do të
vazhdojë përpjekjet e saj për ta ndryshuar
realitetin e kësaj zone, me një vakëf shumë të madh
e të shfrytëzueshëm.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër fton besimtarët
muslimanë, brenda vendit dhe jashtë tij, të
vazhdojnë të kontribuojnë për vazhdimin e
rehabilitimit të plotë të kësaj zone vakëf.
M.Hoxha
|
|
|
|