Pasditen e së mërkurës, më 30
mars 2011, është zhvilluar mbledhja e radhës e
Këshillit të Myftinisë Shkodër, ku është diskutuar
gjerësisht mbi çështjen e vakëfeve të kësaj Myftinie.
Në fjalën e tij para anëtarëve të këshillit, Myftiu
ka shpjeguar të gjitha hapat që po ndjek Myftinia
Shkodër për të bërë të mundur kthimin në identitet
të shumë vakëfeve, që janë të rëndësishme dhe jetike
për muslimanët e Shkodrës.
Myftiu ka bërë një ekspoze të etapave dhe hapave të
ndjekur për të arritur deri në këtë pikë, ku
opinioni i gjerë është sensibilizuar në një nivel të
admirueshëm në lidhje me këtë çështje të rëndësishme.
Myftiu ka theksuar se kjo është një betejë e
vështirë, ku secili duhet të bëjë më të mirën për të
çuar në vend amanetin e të parëve dhe për të mos
toleruar batërdinë që burokracitë e 21 viteve të
fundit kanë bërë me vakëfet e Shkodrës. Ai ka
kritikuar edhe ata që në një mënyrë a një tjetër
janë përpjekur të stopojnë këtë lëvizje të
Myftinisë, duke e konsideruar atë si një shfaqje e
rëndomtë e një miratimi të kësaj situate aspak të
pranueshme. Njëkohësisht ai ka falënderuar
mbështetjen e madhe qytetare dhe besimtare në këtë
përpjekje për të risjellë para vëmendjes publike “zullumin
me vakëfet e Shkodrës”.
Në këtë mbledhje, një relacion të shkoqitur ka
mbajtur edhe juristi i Myftinisë Shkodër, z. Bashkim
Muslija, që ka paraqitur ecurinë e proceseve
gjyqësore dhe zhvillimeve më të reja në lidhje me
pronat e shumta të Myftinisë.
Gjatë mbledhjes, anëtarët kanë kërkuar që këto
përpjekje të mos ndalen dhe të intensifikohen për të
arritur qëllimet e kërkuara. Ata, njëkohësisht kanë
përcjellë mbështetjen e opinionit të gjerë në
Shkodër në lidhje me deklaratën e Myftiut dhe
lëvizjet e ditëve të fundit në lidhje me këtë
çështje.
Në këtë pikë, Myftiu ka theksuar: “Gjatë takimit të
sotëm me kryetarin e Bashkisë (gjatë vizitës së
delegacionit nga Kuvajti), kam marrë premtimin e tij
për realizimin e kërkesave të bëra nga institucioni
ynë, deri me datën 8 prill 2011. Ne po presim
realizimin e këtij premtimi, pastaj do të shprehemi
sërish në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, ju
siguroj se Myftinia Shkodër po bën maksimalen për të
arritur qëllimet e saj në lidhje me vakëfet,
nëpërmjet takimeve zyrtare, shkresave dhe
ndërhyrjeve legjitime në vendin dhe kohën e duhur!”.
|
|
|
|