Ditën e dielë, më 27 mars 2011,
nëpërmjet ekranit të Tv1 Channel, është transmetuar
një speciale në lidhje me çështjen e vakëfeve, për
të cilat është ankuar ditët e fundit Myftinia
Shkodër.
Për rreth një orë, Myftiu Imam Muhamed Sytari, At
Nikolla Petani dhe avokati i Myftinisë Shkodër, z.
Bashkim Muslija, i janë përgjigjur pyetjeve të
gazetares Arjana Qatipi, në lidhje me një shqetësim
të krijuar si rezultat i një neglizhence të theksuar
me pronat e Myftinisë dhe Famullisë Ortodokse në
Shkodër.
Gjatë këtij emisioni, qytetarët kanë patur mundësi
të ndjekin nga afër shqetësimet konkrete të dy
komuniteteve fetare të dëmtuara në çështjen e
kthim-kompensimit të pronave të tyre. Nëpërmjet
fakteve konkrete dhe dokumenteve shoqëruese, avokati
i Myftinisë shkodër ka argumentuar shqetësimin
konkret të institucionit të muslimanëve të veriut.
Në këtë emision, Myftiu i Shkodrës, ka bërë një apel
të hapur për krejt pushtetarët e vendit tonë që të
jenë të vëmendshëm me komunitetet fetare dhe mos t’i
trajtojnë ata me diferencime, që sipas Myftiut, janë
të dëmshme për shpirtin e bashkëjetesës dhe
harmonisë ndërfetare në Shkodër e përtej saj. Ai ka
theksuar se të gjitha komunitetet fetare dhe
besimtarët e tyre janë persekutuar nga sistemi
ateist, duke i zhveshur edhe nga pronësia mbi shumë
vakëfe të shenjta.
Myftiu ka përmendur edhe faktin se gjatë viteve të
fundit, në Shkodër po shfaqet një tendencë e
papranueshme ndaj besimtarëve muslimanë, që në asnjë
mënyrë nuk duhet toleruar e lënë në realitetin
aktual. Në këtë pikë, Myftiu ka përmendur edhe
mosaprovimin e Drejtorisë së Arsimit Shkodër për
emërimin e një mësueseje të mbuluar me hixhab në një
shkollë fshati etj.
|
|
|