Ditën e xhuma, më 25 mars 2011,
Myftiu Imam Muhamed Sytari ka vazhduar të flasë mbi
vlerën që ka pasuria, dhënia e sadekasë dhe i
vakëfeve në fenë islame. Edhe nga minberi i xhamisë
së fshatit Oblikë, Myftiu i Shkodrës ka ngritur
zërin për realitetet e dekadave të fundit, ku siç ka
përmendur “është bërë një zullum i madh ndaj
trashëgimisë së shenjtë të gjyshërve e baballarëve
të devotshëm të kësaj shoqërie”.
Në hytben e tij Myftiu ka folur edhe për vlerën e
madhe që ka dhënia për hatër të All-llahut, në
rrugën e fesë së Tij. Ai ka nxitur që kultura e
sadeka-dhënies të forcohet dhe njerëzit të zhvishen
nga petku i kopracisë. Ai ka thënë se kopracia është
armë e shejtanit dhe se “kopracët janë të humbur dy
herë, fillimisht se edhe atë që e kanë, realisht s’e
kanë dhe s’e gëzojnë nga kopracia. Së dyti, ditën e
gjykimit do të ndëshkohen për kopracinë dhe
zemërngushtësinë e tyre”.
Myftiu ka folur edhe për vakëfin e kësaj xhamie, ku
një pjesë e tij është zënë nga njerëz të
papërgjegjshëm që ushtrojnë mbi të edhe biznese të
vogla, ku tregtohet harami, gjë që sipas Myftiut “nuk
duhet toleruar më në asnjë mënyrë”. Ai ka premtuar
se shumë shpejt Myftinia do të ndërhyjë për të
rrethuar dhe sistemuar ashtu si duhet vakëfin e
kësaj xhamie. Myftiu është angazhuar që shumë shpejt
do të nisë një fazë e re për meremetimin e xhamisë
dhe pastrimin dhe zbukurimin e mëtejshëm të
territorit të saj të jashtëm.
M. Myftija
|
|
|
|