Pasditen e së enjtes, më 24 mars
2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari dhe Famullitari i
Kishës Ortodokse At Nikolla Petani, kanë zhvilluar
një takim pune në zyrën e Prefektit të Shkodrës, z.
Maxhid Cungu.
Qëllimi i këtij takimi kanë qenë shqetësimet e
ditëve të fundit të Myftinisë Shkodër dhe Kishës
Ortodokse në lidhje me çështjen e pronave të këtyre
dy komuniteteve.
Nga ana e tij, Imam Muhamed Sytari ka kërkuar nga
prefekti Cungu që si përfaqësues i qeverisë
shqiptare të nxisë zbatimin e ligjit në favor të
pronave vakëf të Myftinisë Shkodër. Myftiu ka
përsëritur faktin se vitet dhe dekadat po kalojnë
dhe fati i disa pronave të Myftinisë Shkodër po
ngelet peng i burokracive të disa pushtetarëve të
vegjël të këtij vendi. Myftiu ka theksuar se
Myftinia Shkodër është e vendosur për të mos heshtur
ndaj zullumeve të akumuluara prej shumë vitesh në
lidhje me këtë çështje. Ai e ka përfunduar fjalën e
tij duke përmendur se ata që kanë udhëzuar heshtjen
përballë deklaratave të Myftinisë Shkodër, janë
treguar jo largpamës!
Edhe At Nikolla Petani ka kërkuar nga ana e tij që
Kishës Ortodokse t’i kthehen të drejtat e saj
legjitime në një mori pronash legjitime, që kanë
mbetur akoma peng e premtimeve të parealizuara. Ai
ka përmendur disa prej pikave më të rëndësishme që
shqetësojnë sot komunitetin e tij, që akoma nuk ka
marrë asgjë nga pronat që i takojnë në Shkodër.
Ndërkohë Prefekti i Shkodrës, ka garantuar se do të
bëjë më të mirën për të kërkuar atë që është edhe
prioritet i qeverisë shqiptare, vëmendja dhe
përkujdesja për shqetësimet e komuniteteve fetare në
Shqipëri.
K.Kraja
|
|
|