Paraditen e së mërkurës, më 23
mars 2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka pritur z.
Nexhat Guzi dhe z. Artan Kosti, përfaqësues të
Komitetit Shtetëror të Kulteve. Në bisedën e tyre
është folur për rolin e Myftinisë Shkodër si
promotor dhe nxitës i dialogut ndërfetar, harmonisë
dhe frymës së bashkëjetesës në vend.
Myftiu ka vënë në dukje se Myftinia Shkodër ka një
rol vendimtar në raportet e bashkëjetesës, por ka
theksuar se kjo shfaqje shoqërore ka nevojë për
sinqeritetin e palëve dhe përkushtimin ndaj saj. Ai
ka theksuar se Myftinia Shkodër do të vazhdojë të
jetë misionare e sinqertë e mësimeve të Kur’anit dhe
e traditës së Muhammedit (a.s).
Gjatë këtij takimi është folur edhe për deklaratat e
ditëve të fundit të Myftiut të Shkodrës. Nga ana e
tij, Imam Muhamed Sytari ka kërkuar që pushtetarët
burokratë të zgjohen nga gjumi i zullumit dhe të
bëjnë punën e tyre për të zbatuar prioritetet që
kryeministri i këtij vendi ka deklaruar për
komunitetet fetare. Ai ka thënë së këto deklarata
nuk kanë të bëjnë me votimet e 8 majit, por janë
përpjekje zinxhir për zgjidhjen e problemit të
pronave.
Myftiu ka kërkuar ndërhyrjen e shpejtë dhe të
menjëhershme të Bashkisë Shkodër për pastrimin e
pronës vakëf në Zdralej, në Zogaj, te Xhamia e
Plumbit etj.
Nëpërmjet hartave dhe fotografimeve satelitore,
Myftiu u ka treguar përfaqësuesve të K.Sh.K- së,
problemin e pronës vakëf te Xhamia e Plumbit dhe ka
kërkuar ndërhyrjen e përfaqësuesve të shtetit për
t’i kthyer Myftinisë Shkodër të drejtën e saj
legjitime.
Al. Hoxha
|
|
|