Pasdreken e së mërkurës, më 23
mars 2011, Myftiu i Shkodrës ka pritur në një takim
të përzemërt koordinatorin për Ballkanin të
Fondacionit Bamirës “Islamic Relief”, me qendër në
Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar, z. Ismail
Tahmazov.
Gjatë takimit, Myftiu e ka falënderuar përfaqësuesin
e lartë të I.R., duke shprehur mirënjohjen e tij të
thellë për kontributet e vyera që ky fondacion
bamirës ka dhënë në Shkodër. “Nuk ka dyshim që
“Islamic Relief” është bërë një pjesë nderi e
qytetit tonë. Kontributet që ju keni dhënë për
Shkodrën janë të shumta. Ju mjafton krenari dhe nder,
ajo që keni bërë për Medresenë e djemve “Haxhi Sheh
Shamia”. Falë kontributit tuaj, Medreseja është sot
këtu ku është! Për këtë ju shpreh mirënjohjen time
më të thellë”- ka thënë ndër të tjera Myftiu.
Në bisedën e tij, Imam Muhamed Sytari ka kërkuar që
“Islamic Relief” të vazhdojë të jetë prezent në
Shkodër me projekte të shumta që kanë në thelb
forcimin e besimit dhe bamirësinë ndaj njeriut.
Myftiu ka kërkuar nga z. Tahmazov që të tërheqë edhe
fondacione dhe shoqata të tjera bamirëse që të
investojnë në Shkodër.
Nga ana e tij, koordinatori i I.R., për Ballkanin,
z. Ismail Tahmazov, pasi ka falënderuar Myftiun për
pritjen ka shprehur gatishmërinë e fondacionit që ai
përfaqëson për të vazhduar me prezencën e tij në
Shkodër me projekte të dobishme për shoqërinë e
këtij qyteti.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e
Myftinisë të shprehur në drejtim të “Islamic
Relief”.
Në këtë takim, z. Tahmazov shoqërohej edhe nga
drejtori i “Islamic Relief” për Shqipërinë, z.
Muhammed El-Waei, i cili ka dhënë një kontribut të
madh në realizimin e shumë projekteve bamirëse në
Shkodër.
|
|
|