Shkodër, më 16 mars 2011
Jam sot para jush për të shprehur
indinjatën e thellë për persekucionin fetar që po
ushtrohet që nga viti 1967 mbi pronat e muslimanëve
shqiptarë, e në mënyrë të veçantë mbi vakëfet e
Shkodrës.
Nëse për 23 vite me radhë Myftinisë Shkodër iu
sekuestruan dhe iu shkatërruan pronat e saj, duke
përfshirë xhami e objekte të tjera, gjatë këtyre 21
viteve po bëhet një batërdi e vërtetë mbi këto prona.
Me dhjetëra e qindra dosje me pronat e Myftinisë
tonë që akoma sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Bëjnë një gjumë të parehatshëm në zyrat e gjykatave,
agjencive të kthimit të pronave etj. Me dhjetëra
troje të uzurpuara padrejtësisht nga njerëz me
përkrahje nga pushtetet e këtyre 21 viteve.
Nuk është larg vëmendjes tuaj zullumi me hotel “Rozafën”,
ku Myftinia, Kisha Ortodokse dhe disa familje
shkodrane janë pronarë të vërtetë të truallit të saj.
Sot e gëzojnë njerëz me pushtet, që vijnë të na
urojnë edhe bajramet. Do të isha i lumtur të mos i
shikoja më fytyrat e tyre në gëzimet tona!
Në Zdralej, Qendra Tregtare e Myftinisë tonë po
ngelet peng e meskinitetit dhe degradimit të
pushtetit lokal, që nuk zbaton një urdhër të prerë
të Gjykatës së Apelit në favor të Myftinisë tonë.
Nuk ka rekurs në botë të legjitimojë haramin që
konsumohet muaj për muaj mbi pronën tonë në atë zonë.
Në Zogaj, një individ që ka grabitur pronën tonë,
sfidon një Myftini, një Bashki, një Polici!? Pranë
xhamisë së Plumbit i njëjti realitet.
Shembuj të tjerë flenë në sirtarët e zyrave të
pushtetarëve burokratë të këtij vendi.
Ta dinë pushtetarët, që u mbaron mandati me 8 maj të
këtij viti dhe të tjerë pos tyre, se Myftinia
Shkodër është e vendosur të mos heshtë përballë
padrejtësive 44 vjeçare të kësaj kryqëzate moderne
ndaj saj. Ne nuk jemi aspak të hutuar as ndaj
zhvillimeve të vendit dhe politikave të tij.
I bëj apel të gjithë atyre që duhet të dëgjojnë sot
zërin tonë, të marrin masa të menjëhershme për
prishjen e objekteve të paligjshme në Zogaj, në
Zdralej etj, para se kjo neglizhencë e qëllimshme
ndaj pronave tona të nxisë reagime demokratike që
askujt s’do t’i pëlqenin, sidomos në këtë periudhë
në prag të zgjedhjeve lokale!
Ku është prioriteti që kryeministri i vendit tonë i
ka dhënë komuniteteve fetare, duke fituar
mirënjohjen tonë, por që nuk zbatohet nga burokratët
e vegjël që vegjetojnë manekinisht në zyrat e tyre?!
Njëkohësisht, ju lajmëroj se hytbeja e xhumasë së
kësaj jave do të jetë një thirrje sensibilizuese për
krejt xhematet e Shkodrës, ndaj zullumeve primitive
të përvitshme mbi pronat tona.
Faleminderit!
|
|