Paraditën e së hënës, më 14 mars
2011, në xhaminë e fshatit Velinaj është zhvilluar
një ceremoni fetare me rastin e përkujtimit të
lindjes së hz. Muhammedit (a.s).
Aktiviteti ka nisur me fjalën përshëndetëse të
imamit të xhamisë, Ajet Sukaj, i cili pasi ka
falënderuar pjesëmarrësit për praninë e tyre, ka
thënë se qëllimi i këtij tubimi është të përkujtojmë
All-llahun dhe të afrohemi me dashurinë e Tij.
Njëkohësisht ai ka theksuar se tubime të tilla janë
argument i dashurisë për All-llahun dhe dëshmi e
përkushtimit ndaj Tij.
Më pas fjalën e ka marrë Myftiu Imam Muhamed Sytari.
Pasi ka përshëndetur të pranishmit, Myftiu ka hedhur
dritë mbi argumentin e lehtësimit dhe tolerancës, me
të cilat u dërgua profeti Muhammed (a.s). “Argumente
të shumta në Kur’an vërtetojnë se Islami është fe e
lehtësimit dhe e tolerancës. All-llahu na ka treguar
në Librin e Tij se kjo fe nuk është rëndesë dhe
vështirësi, por lehtësim dhe tolerancë për
besimtarin! Prandaj, është detyrë e jona si
muslimanë mos të stepemi në jetë për ta dëshmuar
fenë tonë haptas, pa ndrojtje e frikë nga kushdo!”-
ka thënë ndër të tjera Myftiu.
Këtë tubim e ka përshëndetur edhe imami i xhamisë “Ebu
Bekër”, teologu Idmir Plaku, që ka folur mbi vlerën
dhe madhështinë e misionit me të cilin u dërgua
Muhammedi (a.s), si mëshirë për mbarë botërat.
Ilahitë e bukura dhe pjesët e mevludit i kanë dhënë
një atmosferë të këndshme xhamisë dhe të pranishmëve.
Ndërkohë, një program nga fëmijët e kësaj xhamie e
ka zbukuruar edhe më shumë këtë aktivitet.
Të pranishmit kanë falur edhe namazin e mesditës me
xhemat nën drejtimin e Hafiz Musa Hoxhës. Më pas,
ata janë përshëndetur duke uruar njëri-tjetrin për
kënaqësinë e këtij aktiviteti.
|
|
|
|