Paraditën e së hënës, më 7 mars
2011, në xhaminë e fshatit Kullaj është zhvilluar
një ceremoni fetare me rastin e përkujtimit të
lindjes së profetit Muhammed (a.s).
Aktiviteti ka nisur me një fjalë përshëndetëse të
mbajtur nga imami i xhamisë, H. Kujtim Cufaj. Pasi
ka përshëndetur të pranishmit, ai ka falënderuar
pjesëmarrësit, të cilët kishin lënë punët e tyre të
përditshme për të marrë pjesë në këtë aktivitet
fetar.
Më pas, imami ka ftuar Myftiun e Shkodrës për të
mbajtur fjalën e rastit. Gjatë saj, Imam Muhamed
Sytari ka folur mbi vlerën që ka organizimi i
tubimeve që ftojnë njerëzit për t’u thelluar në
besim e në kulturën e tij. Ndër të tjera, Myftiu ka
thënë: “Prej mirësive të shumta që kanë këto tubime
është edhe fakti se njerëzit vijnë me dëshirë të
madhe për të marrë dritë besimi, prehje shpirtërore
dhe mbi të gjitha për të përkujtuar All-llahun dhe
të dërguarin e Tij. Edhe sikur të mos ishin këto
tubime të begata, do të ishte obligim për ne t’i
shpiknim, si e si të tuboheshim sëbashku për
dashurinë e All-llahut dhe të dërguarit të Tij!”.
Aktiviteti ka vijuar me këndimin e disa pjesëve të
Mevludit dhe disa ilahi të përzgjedhura nga H. Sami
Muçej. Pas faljes së namazit të mesditës, të
pranishmit janë përshëndetur me Myftiun dhe imamin e
xhamisë dhe kanë uruar që takime të tilla të jenë sa
më të shpeshta.
|
|
|